E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pas bindjes në formë kërcënimi,dorëzohet maniaku 58-vjeçar

01/06/2005  Djeg shtëpinë, por nuk shpëton nga prangat pedofili

GJIROKASTËR – Të shtënat e armëve në ajër, si dhe vënia e zjarrit shtëpsië së tij, nuk i kanë dhënë më shumë se një ditë-natë kohë, 58-vjeçarit pedofil, për të përballuar rrethimin e policisë. Dje në mesditë, Kujtim Duro, pas 24 orësh nën rrethim, pedofili i akuzuar për pengmarrje, ka lënë shtëpinë e tij gjysmë të djegur, për ta këmbyer me birucat e komisariatit të policisë së Gjirokastrës. Kanë qenë negociatorët e RENEA, që si “gjuhë të bindjes” së Kujtim Duros, zgjodhën atë të “forcës e kërcënimit”, duke e detyruar më pas atë të vërë vetë prangat në duart e tij.

Zjarrvënia

Ndërsa nata midis të hënës e të martës ka kaluar “e qetë”, ku palët, pedofili dhe policia, kanë qendruar në pozicionet e tyre, mëngjesi i djeshëm, është zbardhur me një re tymi dhe flakë zjarri, që dilnin nga shtëpia e Kujtim Duros, banues pranë gjimnazit “Asim Zeneli” në lagjen “Palorto” të Gjirokastrës.

Mejëherë u mor vesh se kjo zjarrvënie në shtëpinë e tij, ishte vepër e Duros. Zjarrfikëset kanë mbërritur në vendin e ngjarjes disa minuta më vonë, kanë arritur të shpëtojnë gjysmën e shtëpisë, prej tre dhomash. Burimet e policisë bënë të ditur se gjatë këtij zjarri, i zoti i shtëpisë kishte zgjedhur për t’u ruajtur vetë, një kthinë të shtëpisë.

Negociatat

Përpjekjet e policisë lokale dhe të miqve e të njohurve të pedofilit, deri në mesditën e djeshme s’kishin dhënë rezultat. Për pasojë Kujtim Duro, nuk pranonte të dorëzohej. Kjo detyroi dhe bëri të domosdoshme mbërritjen në Gjirokastër të specialeve të RENEA. Pas mbërritjes së tyre, negociatorëve, nuk iu desh mëse një orë për të bindur Duron të dorëzohet.

“S’ke rrugë tjetër, vetëm të dorëzohesh. Është mundësia jote e vetme. Ne i kemi të gjitha mundësitë, për të të vënë ty në pranga. Dorëzohu”.

Kaq ka mjaftuar dhe vetëm pas kësaj, pasi Kujtim Duro është “menduar” edhe një herë, ka pranuar të dorëzohet. Ka dalë nga shtëpia pa armë dhe vetë i ka zgjatur duart prangosësve të policisë.

Pedofili

Tri herë ka qenë i dënuar me burg Kujtim Duro, bënë të ditur dje burimet e policisë së Gjirokastrës. Vite më parë, ai kishte vuajtur një dënim prej 8 vjetësh burg, nën akuzën e përdhunimit të mbesës së tij.

Veç vepërs penale të përdhunimit, ai është arrestuar e dënuar edhe dy herë të tjera, por për një tjetër vepër penale, atë të dhunës fizike, ndaj bashkëshortes së tij. Pas denoncimeve nga ana e të dhunuarës, Kujtim Duro është detyruar të vuajë dy herë dënimin, përkatësisht me 1 dhe 1.5 vjet burg, për dhunë fizike.

Nxënësi i industriales,“weekend” te pedofili

GJIROKASTER – Pas tri ditësh, i detyruar të jetë “mysafir” në shtëpinë e Kujtim Duros, 16-vjeçari nga Përmeti, nxënës i shkollës së mesme industriale të Gjirokastrës, së bashku me prindërit ka denoncuar pedofilin 58-vjeçar.

Burimet e policisë së Gjirokastrës, saktësuan dje se që prej ditës së premte, të javës së kaluar, 16-vjeçari mbahej peng nga 58-vjeçari. Pas shkollës, në rrethana të pacaktuara, nxënësi i industriales është gjendur në shtëpinë e Duros dhe me gjithë këmbënguljen e tij për të shkuar për fundjavë pranë familjes nuk është lejuar. Prindërit të cilët prisnin djalin, janë shqetësuar dhe vetëm të hënën, kur djali ishte çliruar, mësuan për atë që atij i kishte ndodhur... Pas kësaj, nuk iu ngeli gjë tjetër veçse të paraqiteshin për denoncim në polici.

Dosja e pedofilit te Krimet e Rënda

TIRANE - Prokuroria e Krimeve të Rënda, ka nisur hetimin ndaj pedofilit gjirokastrit 58-vjeçar, Kujtim Duro, i cili për tre ditë me radhë mbajti në shtëpinë e tij një minoren 16-vjeçar, me të cilin akuzohet se ka kryer marrëdhënie seksuale. Lajmi është bërë i ditur nga burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat sqaruan se për shkak të akuzuave paraprake, që i janë ngritur 58-vjeçarit Duro, dosja i ka kaluar për kompetencë Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Burimet sqarojnë se paraprakisht mbi Duron rëndojnë disa akuza të rënda. Ai akuzohet për heqje të lirisë së tjetrit, kryerje të marrëdhënieve seksuale me të mitur, e specifikuar si pedofili dhe krime të hapura, sepse 58-vjeçari gjirokastrit ka kundërshtuar me armë policinë, kur i është kërkuar të dorëzohet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›