Ndahet nga jeta ish-ambasadori Lublin Dilja
Është ndarë nga jeta në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara ish-ambasadori i Shqipërisë në SHBA, Lublin Dilja. Vdekja e ish-ambasadorit erdhi pas një sëmundje të rëndë. Dilja lindi në Elbasan në 10 tetor të vitit 1957, ku kaloi edhe vitet e fëmijërisë. Shkollën e lartë ai e kreu në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, Dega Anglisht. Pasi përfundoi shkollën, në vitin 1980, ai punoi fillimisht si mësues i gjuhës angleze. Më pas kreu disa kualifikime pasuniversitare për psikologji-pedagogji, si dhe kurse për diplomacinë në Shtetet e Bashkuara, në Britani e Itali.
Ai ka punuar si profesor në Universitetin e Tiranës dhe atë të Elbasanit dhe si punonjës shkencor në Institutin e Pedagogjisë dhe të Psikologjisë. Ai kishte titullin “Doktor i Shkencave”.
Nga viti 1993 deri më 1997, Lublin Dilja ishte Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara. Në shtator të vitit 2001 ai u zgjodh Deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë. Nga viti 2002 e deri në fund të jetës, ai ishte Ministër Fuqiplotë në Misionin e Përhershëm të Republikës së Shqipërisë pranë OKB-së dhe njëkohësisht zëvendëspërfaqësues i këtij misioni.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Ambasadori i Shqipërisë në OKB Adrian Neritani, e vlerësoi kolegun e tij Lublin Dilja në planin personal dhe atë profesional: “Ai ishte një individ me cilësi të larta dhe të dukshme profesionale... Ai e kombinonte profesionin si diplomat me përgatitjen e tij si pedagog dhe shkencëtar. Duhet theksuar se Lublin Dilja ka qenë Ambasador i Shqipërisë në SHBA në një periudhë shumë të rëndësishme për vendin.”
Ambasadori Neritani tha se cilësitë e veçanta njerëzore dhe profesionale të zotit Dilja u shprehën edhe në detyrën e tij në OKB:
“Ambasadori Dilja ka qenë një figurë publike, jo thjesht zyrtare, një figurë e respektuar nga komuniteti shqiptar i Amerikës dhe nga kolegët e tij diplomatë brenda dhe jashtë misionit të OKB-së”.
...