Fshehja pas gjykatave, spekulim i Berishës
Deputeti i Partisë Socialiste, Saimir Tahiri, tha se Berisha nuk ka vullnet ta zgjidhë krizën dhe gjykatat nuk janë pengesë sikundër pretendon ai. “Fshehja mbas gjoja vendimit të gjykatave, është një spekulim i Sali Berishës për të mbuluar mungesën e vullnetit për të zgjidhur krizën politike dhe institucionale që nuk e kemi shpikur ne, por ekziston e plotë për shkak të vetë Sali Berishës”, deklaroi ai. Tahiri sqaroi se Partia Socialiste e ka njohur plotësisht vendimin e gjykatës, përderisa ka pranuar rezultatin e zgjedhjeve. Rezultat, tha ai, të cilin ne nuk kërkojmë ta ndryshojmë, ashtu siç nuk kërkojmë as ta shqyrtojmë nëse gjykata ka vepruar drejt apo jo. “Partia Socialiste nuk i ka kërkuar e nuk i kërkon Sali Berishës të dalë mbi vendimin e gjykatës, por përkundrazi, i kemi kërkuar t’i nënshtrohet ligjit si të gjithë të tjerët, e të shfaqë vullnet politik e parlamentar, pikërisht për të na lejuar ne të zbatojmë vendimin e gjykatës”, nënvizoi deputeti i selisë rozë. Ndaj, në emër të Partisë Socialiste, ai i kërkoi Kryeministrit dhe mazhorancës të lejojë të zbatohet Kushtetuta, ligji, rregullorja e Parlamentit e madje edhe vetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, ku parashikohet e drejta e opozitës për të hetuar nëpërmjet një komisioni parlamentar.
#