E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndahet nga jeta presidenti venezuelian Hugo Chavez

06-03-2013 / Gazeta 55

Presidenti i Venezuelës s’e përballoi betejën me kancerin

Ka ndërruar jetë në moshën 58 vjeçare presidenti i Venezuelës. Hugo Chavez. Lajmi u mësua nga zv/presidenti Nicolas Maduro, i cili fillimisht, përmes një fjalimi drejtuar kombit, foli “për orët e vështira”, duke nënkuptuar se gjendja e udhëheqësit venezulian ishte e rëndë.
Ai prej ditësh merrte frymë përmes një tubi dhe mëngjesin e së martës gjendja u përkeqësua, nga një infeksion i ri në rrugët e frymëmarrjes.
Një turmë mbështetësish të presidentit u mblodhën jashtë spitalit ku ndërroi jetë Chavez, duke brohoritur “ne jemi të gjithë Chavez”
Ministri i Informacionit, Ernesto Villegas, kishte paralajmëruar për gjendjen, “pas një kimioterapie shumë të fortë”.
Chavez ishte kthyer muajin e kaluar në Karakas, pas operacionit të katërt nga kanceri në Kubë dhe pas më shumë se dy muaj qëndrimi në një spital të Havanas.
Përveç në disa foto të lëshuara së fundmi nga qeveria, Chavez nuk është parë ose dëgjuar publikisht qysh para operacionit të fundit, më 11 dhjetor, 2012.
Chavez ka udhëhequr Venezuelën qysh në vitin 1999. Për mandatin e dytë është zgjedhur më 2006, ndërsa për të tretin në tetor të 2012-ës.

Kush ishte Hugo Cavez?
Hugo Rafael Chavez Frias ka lindur më 28 korrik të vitit 1954 në shtetin e Barinasit në Venezuelë.
Ishte një nga shtatë fëmijët e një familje mësuesish të varfër.
Chavez ka thënë se dëshira e tij për të luajtur basketboll në ligën më të madhe kombëtare e ka nxitur të regjistrohet ne akademinë ushtarake. Ai i është bashkuar ushtrisë më 1975 dhe ka udhëhequr një njësi elite parashutiste.
Në kohën sa ka qenë në ushtri, Chavez u është bashkuar oficerëve të tjerë për të formuar fshehurazi Ushtrinë Popullore Çlirimtare dhe ka nisur të takojë liderët e opozitës marksiste. Më vonë, ndërkaq, ka formuar Lëvizjen Revolucionare Bolivariane.
Karriera ushtarake e Chavezit, një pjesë të së cilës e ka kaluar duke luftuar kundër kryengritësve majtistë, ka zgjatur 17 vjet.
Në vitin 1992, ai ka udhëhequr një grusht-shtet të pasuksesshëm ushtarak, pas të cilit është dënuar me dy vjet burgim, së bashku me mijëra mbështetës. Më vonë, Chavez është falur.
Pas lirimit, ai ka formuar një parti të majtë politike, të quajtur Lëvizja e Republikës së Pestë, ndërsa fitoren bindëse në zgjedhjet presidenciale të vitit 1998 e ka arritur falë pakënaqësisë së madhe të qytetarëve me elitën “e korruptuar” politike.
Ai ka qenë presidenti më i ri i zgjedhur në historinë e Venezuelës. Kushtetutën e ka “transformuar” duke i siguruar vetes autoritet më të madh, ndërsa emrin e vendit e ka ndryshuar në Republika Bolivariane e Venezuelës. Ndryshimi i kushtetutës në referendum ka marrë 88% të mbështetjes së publikut.
Chavez, i cili shpesh është shfaqur në publik me bluzë të kuqe, ka kritikuar kapitalizmin. Pasurinë nga nafta e ka përdorur për t’iu ndërtuar banesa qytetarëve me të ardhura më të ulëta, duke u bërë kështu hero për të varfrit e Venezuelës.
Mik politik ka pasur ish-udhëheqësin libian, Muammar Qaddafi. Duke folur në vitin 2009 së bashku me të, Chavez ka thënë se ata dy ndajnë një vizion të përbashkët.
Gjatë sundimit të tij, marrëdhëniet midis Venezuelës dhe Shteteve të Bashkuara kanë qenë të tendosura. Si kritik i ndërhyrjes së SHBA-së në Irak, Chavez e ka quajtur “djall” presidentin George W. Bush, gjatë një fjalimi në Kombet e Bashkuara më 2006.
Duke u bërë aleat me kritikë të tjerë të SHBA-së, të tillë si Vladimir Putini i Rusisë, Chavez ka udhëhequr përpjekjet për të bashkuar liderët majtistë të Amerikës Latine në një Union të Vendeve të Amerikës Jugore.
Chavez ishte kthyer muajin e kaluar në Karakas, pas operacionit të katërt nga kanceri në Kubë dhe pas më shumë se dy muaj qëndrimi në një spital të Havanas.
Chavez ka lënë prapa vetes gruan dhe pesë fëmijë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›