Ndahet nga jeta studiuesi i njohur, prof. Ramadan Sokoli
Është ndarë dje nga jeta studiuesi i njohur shqiptar, prof. Ramadan Sokoli. Prof. Sokoli do të mbahet mend mes të tjerash për studimin e parë mbi polifoninë popullore shqiptare që mban emrin e tij, me titullin “Polifonia jonë popullore”, e botuar në vitin 1959. Ramadan Sokoli ka dhënë një kontribut të shquar në fushën e albanologjisë duke lënë pas studime shumë të rëndësishme në Institutin e Kulturës Popullore, kritika, ese dhe publicistikë. Ndër botimet e tij mund të përmendim: “Folklori muzikor shqiptar (Morfologjia)”, “Pipzat”, “Vegla polifonike: gajda”, “Vegla polifonike: cyla - dajre”,“Veglat idiofone: tamburatë”, "Vallet dhe muzika e të parëve tanë", "Figura të ndritura", "Gjurmime folklorike", "Këngët patriotike" etj. Tashmë është fakt se me emrin e Ramadan Sokolit lidhet historia e muzikologjisë shqiptare. Ky studiues i shquar hodhi hapat e para në këtë lëm, duke punuar dhe duke thelluar botimet studimore e shkencore të tij. Prof. Ramadan Sokoli vjen prej njërës nga familjet më të njohura të traditës dhe qytetarisë shkodrane e shqiptare, siç janë “Sokolët”, të cilët gëzojnë emër në historinë kombëtare. Prof. Sokoli lindi në vitin 1920, në qytetin e Shkodrës. Pas shkollimit në vendlindje, ai vazhdoi studimet e larta në Padova të Italisë, ku studioi për muzikë. Gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore, Ramadani bashkë me dy vëllezërit e tij u arrestuan dhe u dënuan me burgim nga okupatorët pasi kishin dalë në mal për të luftuar në ilegalitet. Në vitet ’90, prof. Sokoli u është përgjigjur mjaft ftesave nga jashtë shtetit për të marrë pjesë si lektor në universitete të ndryshme në Europë e më gjerë. Gjithashtu ai ka qenë tepër aktiv në konferencat shkencore duke botuar e paraqitur gjithmonë studime dhe kumtesa me interes të veçantë jo vetëm për muzikologjinë shqiptare, por edhe atë ballkanike. Në vitin ’95, prof. Sokoli mori titullin “profesor” dhe u bë anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, kurse në vitin 2002 u nderua me titullin "Mjeshtër i madh i punës" nga presidenti i atëhershëm Alfred Moisiu.
Petrika GROSI
11 Mars 2008