“Burrat mbi gratë”, vazhdon ekspozita në galerinë “Zenit”
“Burrat mbi gratë” titullohet ekspozita më e fundit që është çelur për 8 Marsin dhe vazhdon të jetë e hapur edhe këto ditë në galerinë private “Zenit” në kryeqytet. Ekspozita e radhës, që përsa i përket titullit, siç ndodh shpesh në “Zenit”, ka një gjetje intriguese, është zhvilluar me kuratorë pedagogët e Akademisë së Arteve të Bukura në Tiranë Vladimir Myrtezai, Najada Hamza dhe Ardian Isufi. Në këtë ekspozitë, që përfshin pikturën, modën dhe stilimin, publiku artdashës do të ketë mundësinë të ndjekë dhe shijojë mënyrën konceptuale dhe punët e tetë artistëve të rinj që shtjellohen në fotografi, pikturë, instalacion, video-art e performancë. Ekspozita është ndërtuar, siç rrëfen edhe drejtori i galerisë Krenar Zejno, mbi një koncept fillestar mbi të cilin më pas secili ngre shtjellimet dhe përjetimet e veta. “Adamët rrëfehen mbi Evat e tyre! Apo Adamë që rrëfejnë mbi Eva? Po jo pra, jo mbi Eva. Jo vetëm mbi. Nuk është aty fjala. Mbi ose nën Eva. Edhe një herë nga fillimi: Adamët rrëfejnë për Eva! Por jo vetëm për Eva. Edhe për publikun e gjerë, të të gjitha sekseve. Sa Adamë ka, po aq Eva janë. Si është njëra palë, atë formë merr edhe pala tjetër. Dhe anasjellas. Meqë i mbivendosen njëri-tjetrit, si gjithmonë me anë të moskuptimit”. Meditimi vazhdon më tej, duke nisur nga titulli i ekspozitës. Qysh nga Edeni. Ndryshimi i formës së njërit sjell edhe ndryshimin e përmbajtjes së tjetrit, duke e bërë keqkuptimin edhe gozhdë ku të varen ngjarjet, edhe çekiç të historisë. Njëri gozhdës, tjetri çekiçit! Madje me një këmbëngulje, zhdërvjellësi e korrektësi të përpiktë. Me një burrëri të rrallë, si burrat. Por, edhe të paepur, si gratë... ǒmund të rrëfejnë artistët meshkuj mbi gratë? “Pyetja madhore”, - tha Frojdi, “së cilës nuk kam mundur t’i jap përgjigje, ndonëse kam rrëmuar për 30 vjet, është se çfarë do gruaja?!” Por arti vizual mund t’ia mbërrijë kësaj në ndonjë mënyrë të tërthortë e provokative. Premisat prej titullit janë të mira, ndonëse me ngarkesë letërsie e narrative, pra aspak të sigurta. Kiplingu ishte “i sigurt se intuita e një gruaje është shumë më afër të vërtetës sesa siguria e një burri’. Me ta kuptuar këtë, sajoi mashkullin hokatar Mogli te “Libri i xhunglës”. Një tjetër i mençur pat ndier që gruaja s’e beson rrëfimin mashkullor prej asaj ç’ka thuhet në të, por me frymëzim dhe zemër. Gjëra që burrat siç duket i kanë harxhuar për t’i kënduar dashurisë për gratë veç nëpër poema. Sa kurioze është të dinim se si mund të ishte poeti femër! E pra gjithë sa më lart, por edhe të tjera, janë boshti rreth së cilit tematika tenton të nxjerrë në pah këndvështrimet, përjetimin dhe talentin e piktorëve të rinj në këtë ekspozitë të titulluar “Burrat mbi gratë”, që do të vazhdojë të jetë e çelur edhe gjatë ditëve në vijim në galerinë “Zenit”.
P.G.
Përurimi
Çene, Kokonozi dhe Tasi çelin ekspozitën e radhës në “DidArt”
Në mjediset e galerisë “DidArt” në Tiranë, dje është çelur një ekspozitë e re me punët e tre piktorëve: Adrian Çene, Shkëlqim Kokonozi dhe Lekë Tasi. Kjo ekspozitë, që do të mbyllet në fund të muajit, i sjell sërish të tre këta artistë së bashku në galerinë "DidArt" me 14 piktura të realizuara gjatë vitit 2007, të cilat prezantohen për herë të parë për artdashësit. Në punët e ekspozuara në "DidArt" gjejmë peizazhe, kompozime, natyra të qeta etj. Çene vjen me katër punë që trajtojnë natyra të qeta dhe një portret, Kokonozi me katër kompozime abstrakte dhe piktori Tasi me pesë kompozime surrealiste. Pra, secili autor vjen me të veçantën e tij, por ekspozita është konceptuar si një e tërë që transmeton vlera te publiku.
11 Mars 2008