Shpërthen Malaga

Barcelona dhe Real Madrid nuk do të jenë skuadrat e vetme spanjolle që do të shpenzojnë miliona euro për transferimin e futbollistëve të mëdhenj. Dy gjigantëve të futbollit spanjoll u është bashkuar edhe Malaga, e cila ka rënë në dorë të sheikut Al Thani, një multi-miliarder nga Katari, i cili përpos investimeve të tjera në Spanjë, ka vendosur të mendojë edhe për futbollin.
Pasi e bleu klubin për 36 milionë euro, i janë nevojitur disa muaj për ta kuptuar strategjinë reale të futbollit. Tash sheiku ka vendosur të investojë seriozisht.
Klubi spanjoll gjendet në fund të tabelës së La Ligas, me vetëm 16 pikë nga 17 ndeshje. Ky klub e ka ndërruar trajnerin dhe tash kjo pozitë i është besuar ish trajnerit të Real Madrid, Manuel Pellegrini.
Menjëherë ka arritur mesfushori Maresca. Atij i janë bashkuar edhe Julio Baptista nga Roma, Demichelis nga Bayern Muchen, Camacho nga Atletico Madrid dhe portieri i Colchoneros, Sergio Asenjo (si huazim).
Mirëpo, Malaga nuk do të ndalet me kaq. Gjuajtja më e madhe e klubit simpatik spanjoll mund të jetë nga Anglia. Po flasim për objektivin e Real Madridit, Emmanuel Adebayor. Për sulmuesin togolez, Malaga planifikon t’i shpenzojë 22 milionë euro, të cilat do ta bindnin sheikun tjetër të Manchester Cityt, pronarin Mansour Bin Zayed.