E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeprokurori i shtetit nuk flet për sms-të në rastin “Limaj”

Tash e një kohë kanë filluar të publikohen në media pjesë të aktakuzës për rastin e korrupsionit në Ministrinë e Transportit në kohën kur këtë dikaster e drejtonte Fatmir Limaj. Aktakuza është ngritur në bazë të disa sms-ve, për të cilët mbrojtja ka sjellë dëshmi se janë të falsifikuar. E pas kësaj janë deklaruar nëpër media prokurorë e policë, duke tentuar ta fajësojnë njëri-tjetrin për falsifikimin e mundshëm të sms-ve.

Pavarësisht këtyre veprimeve të prokurorëve dhe akuzave të palës mbrojtëse për Prokurorinë, kryeprokurori i shtetit vazhdon të mos e thotë asnjë fjalë lidhur me këtë rast.

RTK ka pritu tri ditë kryeprokurorin e shtetit për një prononcim, por ai ka heshtur. Madje, kryeprokurori as nuk e ka autorizuar ndonjë person t`u përgjigjet pyetjeve të redaksisë lidhur me këto fakte të reja. E vetmja mënyrë komunikimi i kryeprokurorit me mediat vazhdon të jetë nëpërmjet zyrës për informim të kryeprokurorit, por jo për çështjet që u nevojiten gazetarëve dhe atë vetëm për komunikatat që publikojnë në raste të caktuara.

Ndërkaq, komisioni disiplinor i cili raporton për sjelljet e pahijshme të prokurorëve, deklaratat dhe reagimin e vazhdueshëm në media të ish-prokurorit Osman Mehmeti dhe prokurorit Ali Rexha, babait të Fitim Rexhës, që është përfolur për falsifikim të sms-ve, nuk i sheh si çështje të rëndësishme me të cilat duhet të merret komisioni disiplinor.

“Unë nuk mund të japë asnjë koment për këtë situatë, sepse zyra jonë është një zyrë që mirret me çështje shumë më specifike në krahasim me çështjen që ju e keni ngritur”, ka thënë Kadri Begolli.

Kërkesat e prokurorëve e vendimet e gjykatësve vend e pa vend për përgjimet e paligjshme, janë shqetësim edhe për kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Pecin.

“Kemi një shqetësim si gjyqësorë për këtë dukuri. Gjyqtarët e procedurës paraprake në kërkesat e përgjimit të fshehtë nuk kanë kujdes. Duhet të përmisohet edhe kërkesa nga ana e prokurorëve dhe duhet të njoftohen palët se kanë qenë të përgjuar”, ka thënë Peci për RTK-në.

Përfaqësues të Grupit për Studime Politike e Juridike i kanë cilësuar veprimet e prokurorëve në rastin Limaj si joprofesionale, duke thënë se Këshilli Prokurorial duhet t`i fillojë hetimet për veprimet e tyre.

“ Prokuroria në disa raste ka shkelë standardet e Strasburgut sa i përket mbledhjes së provave dhe qëndrimit të zbatimit që resptekton të drejtën për një gjykim të drejtë. Këshilli prokurorial duhet të fillojë hetimet”, ka deklaruar Fisnik Korenica.

Për dallim nga organizatat joqeveritare, krerët e institucioneve të drejtësisë hezitojnë të flasin për proceset gjyqësore me të cilat po përballet Limaj./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›