Ndalimi gazetarit Mema në Greqi, tubim para MPJ- së
Tiranë- Pas protestës tek Ambasada greke në Tiranë, Unioni i Gazetarëve ka protestuar sot edhe para ambienteve të Ministrisë së Jashtme mbi ndalimin e gazetarit Marin Mema, në territorin grek.
Së bashku me përfaqësues të shoqërisë civile ata kanë deklaruar se moslejimi i gazetarit të futet në shtetin tonë fqin bie ndesh me konventat evropiane dhe ligjet që kanë miratuar si shteti grek dhe ai shqiptar.
“Ne jemi të interesuar, për të mësuar ndër të tjera, se përse një gazetar profesionist përfshihet në listën e personave që paraqesin rrezikshmëri për sigurinë kombëtare të shtetit fqinj. Nga ana tjetër ne jemi këtu për t’u interesuar edhe më tej, nëse në këtë listë që ekziston sipas autoriteteve greke, përfshihen të tjerë personalitete dhe përfaqësues të jetës publike, që janë profesionistë. Nëse shkaqet e shpalljes së tyre person ‘non grata’ janë vetëm ato që lidhen për arsye profesionale, në duam të dijmë se cili është krimi që ata kryejnë”,- tha kreu i Unionit Aleksandër Çipa.
Lidhur me këtë ngjarje Unioni i Gazetarëve i ka dorëzuar një letër Ministrisë së Jashtme, në cilën kërkohet që kjo çështje të marrë zgjidhje sa më shpejt, pasi sipas tyre shteti grek ende nuk ka dhënë arsyet e këtij veprimi.
/IDEA/