E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Berisha po ul në gjysmështizë flamurin e interesave kombëtare

Kryetari i opozitës ka reaguar ndaj deklaratave të bëra një ditë më parë nga kryeministri Berisha për bllokimin e linjës së interkonjeksionit me Kosovën. Duke folur në një konferencë shtypi në mesditë, Rama tha se Berisha akuzoi si zëdhënës të mafias bankën gjermane, gazetën kosovare dhe opozitën në vend, por asnjë shqiptar nuk ka besim për ndershmërinë e qelibartë të tij.

Berisha foli për klikën e mafias duke akuzuar si zëdhënës të mafias bankën gjermane KfV, gazetën Zëri që ka publikuar faktet e bazuara në dokumente dhe opozitën, që ngriti zërin për cenim të interesit kombëtar të Shqipërisë e Kosovës. Nuk di nëse tek mafia ai fut edhe partinë e koalicioni të tij. Kjo është çështje që i takon ta zgjidhin me njëri- tjetrin. Nuk besoj se ka ndonjë shqiptar që të besojë se banka që përfaqëson shtetin gjerman të jetë mafioze dhe Saliu të jetë qelibari, tha Rama.

Rama tha se opozita mbron pikëpamjen se bllokimi i projektit është haptazi kundër interesit kombëtar. Sipas tij, Berisha nuk mund të justifikohet me çmimin e ulët të kompanisë fituese, në një kohë kur pak javë më parë përzgjodhi kompaninë që kishte ofertën më të lartë për ndërtimin e Parlamentit të ri.

Kryeministri foli për çmimin e ofertës së kompanisë fituese. Ska shqiptar të arsyeshëm ta besojë Saliun në qëndrimin e tij për gjoja çmim të ulët, kur vetëm pak javë më parë la nam duke zgjedhur kompaninë me çmimin më të lartë për të ndërtuar Parlamentin e ri, tha Rama.

Në emër të opozitës, Rama i bëri thirrje kreut të qeverisë që të heqë postbllokun e korrupsionit nga projekti dhe të mos damkosë më tej qeverinë me vulë antikombëtare turpi.

Duke parë nga afër të gjithë procesin e bllokuar të linjës me Kosovën, të shpon hundën era e keqe e një historie ku po ulet flamuri kombëtar në gjysmë shtize dhe shtiza e flamurit të korrupsionit qeveritar po i ngulet në shpinë Shqipërisë dhe Kosovës. Unë nuk di nëse si Saliu është kapo i mafias që tregon përralla apo politikan që i shërben mafias, por nuk dyshoj fare që vetë kryeministri është dëshmitari më i informuar për aferat e mafias në Shqipëri, përfundoi kryesocialisti Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›