Ndalimi i naftës i BE-së për Rusinë në rrezik pasi Hungaria refuzon sanksionin si “bombë atomike” për ekonominë

Hungaria ka paralajmëruar se nuk mund të pranojë ndalimin e planifikuar të BE-së për naftën ruse pasi do të përbënte një “bombë atomike” për ekonominë e saj, duke kërcënuar të anulojë paketën e gjashtë të sanksioneve të bllokut kundër Moskës, shkruan Sky News.
Kryeministri Viktor Orban – jo i çudtishëm për mosmarrëveshjet me ekzekutivin e bllokut – i tha radios shtetërore se ishte gati të negocionte për çdo propozim që do të përmbushte interesat e Hungarisë.
Por ai deklaroi se ajo që ishte në tryezë, aktualisht, do të ishte shumë e kushtueshme.
Vendi e merr pothuajse 65% të furnizimeve të tij me naftë, përfshirë produktet e rafinuara, nga Rusia.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha në një fjalim në parlamentin evropian në Strasburg të mërkurën, se kishte ardhur koha që blloku të ndalonte furnizimet ruse të naftës brenda gjashtë muajve dhe produktet e rafinuara deri në fund të vitit.
Ajo tha më pas: “Nuk do të jetë e lehtë. Disa vende anëtare janë shumë të varura nga nafta ruse. Por ne thjesht duhet të punojmë për të.”
“(Vladimir) Putini duhet të paguajë një çmim, një çmim të lartë, për agresionin e tij brutal” tha von der Leyen.
Propozimi, pjesë e një raundi të ri masash që synojnë ndëshkimin e Rusisë për pushtimin e saj në Ukrainë, pason një lëvizje të ngjashme të shpallur nga Britania dhe Shtetet e Bashkuara në mars.
Hungarisë dhe Sllovakisë, sipas planit të embargos, i është dhënë një vit shtesë për të bërë marrëveshje alternative.
Opozita e Hungarisë përbën një kërcënim për embargon pasi kërkon mbështetjen e të 27 shteteve anëtare për t’u miratuar.
Ajo u bë e mundur vetëm pasi Gjermania, ekonomia më e madhe e Evropës, deklaroi se tani ishte në gjendje të siguronte furnizimet që i nevojiteshin nga gjetkë.
Në intervistën e tij në radio, Orban, i cili u rizgjodh për një mandat të katërt si kryeministër muajin e kaluar dhe që shihet gjerësisht si aleat i Putinit, shprehu shqetësimin për reagimin e BE-së kundër veprimeve të Rusisë.
Ai përsëriti se Hungaria nuk do të dërgojë armë në Ukrainë, si disa vende të tjera anëtare, duke këmbëngulur se qëndrimi i vendit të tij ishte “për paqe”.
Për çështjen specifike të energjisë, ai argumentoi se Hungarisë do t’i duhen pesë vjet dhe për të bërë investime të mëdha në rafineritë dhe tubacionet e saj për të qenë në gjendje të përshtatet me çdo ndalim të naftës ruse.
“Ne e dimë saktësisht se çfarë na duhet, së pari duhen 5 vjet që të përfundojë i gjithë ky proces… një gjysëm viti nuk mjafton për asgjë”, tha Orban.
Ai tha se Hungaria po priste të shihte një propozim të ri nga Komisioni.
“Unë nuk dua të konfrontohem me BE-në, por të bashkëpunoj, por kjo është e mundur vetëm nëse ata marrin parasysh interesat tona”.
Orban tha gjithashtu se Hungaria nuk do të mbështesë futjen në listën e zezë të kreut të Kishës Ortodokse Ruse aleate me Kremlinin, Patriarkut Kirill, pasi kjo ishte një “çështje e lirisë fetare”.