Ndalimi i perçes në Belgjikë, sot votohet në Parlament ligji i debatuar
Ligjvënësit në Belgjikë do të votojnë sot për projektligjin që ndalon gratë, në rrugë dhe në vende publike, që të mbajnë veshje islamike, të cilat mbulojnë fytyrën. Organizata që merret me të drejtat e njeriut, "Human Rights Watch " ka kërkuar që ky propozim të mos votohet. Organizata ka theksuar se nuk ka ndonjë provë që të dëshmojë se mbajtja e veshjeve islamike, ku mbulohet fytyra, paraqet kërcënim për sigurinë publike.
Votimi i sotëm është një ndër raundet më të fundit të "betejës" kundër burkas, e nëse votohet projektligji për të ndaluar mbajtjen e kësaj veshjeje, atëherë Belgjika do të jetë vendi i parë në Europë që e ndalon të mbuluarit e fytyrës për femrat myslimane. Ligjvënësit do të konsiderojnë ndalimin në vende publike të Niqabs, pëlhura që mbulon fytyrën , por edhe për perçen, që mbulon fytyrën dhe gjithçka tjetër, nga koka deri të tek këmbët. Belgjika është shtëpia e rreth 281,000 Muslimanëve, vlerësojnë organizatat e ndryshme. Abdullah Bastin, një lider politik mysliman në Belgjikë, paralajmëron se ky projektligj do të ketë një efekt të kundërt nëse miratohet. sipas tij, janë të pakta gratë që e mbajnë shaminë e fytyrës dhe nëse votohet legjislacioni, atëherë mijëra gra do të veshin burkën, në shenjë zemërimi. Vetëm një qytet i Belgjikës e ka ndaluar burkën 6 vjet më parë. Nëse do të miratohet projektligji, atëhere do të vendoset një gjobë prej 15-25 eurosh, apo burgim nga një deri në 7 ditë. Amnesty International paralajmëroi të mërkurën se projektilgji do të thyejë ligjin ndërkombëtar.
Ndërkaq edhe qeveria e Francës po e përgatit ligjin për ndaljen e përdorimit të ferexhesë islamike në hapësirat publike dhe presidenti francez, Nikola Sarkozi, synon miratimin e një ligji të ngjashëm. Një zëdhënës i presidentit francez, Nikolas Sarkozi, tha se propozimi do të paraqitet para ministrave në muajin maj. Ai thotë se "bartja e ferexhesë së plotë është shenjë e mbylljes së komunitetit në vetvete dhe refuzim i vlerave". Megjithatë, muajin e kaluar, Këshilli Shtetëror, që është autoriteti më i lartë administrativ francez, i ka tërhequr vërejtjen presidentit Sarkozi, kundër ndalesës për ferexhe, duke sugjeruar urdhër që gratë ta zbulojnë fytyrën e tyre për kontroll të identitetit dhe për çështje të punëve shtetërore. Raportohet se janë afro 2 mijë femra myslimane franceze, që aktualisht e mbulojnë fytyrën e tyre. Projektligji që Franca do të ndalojë në mënyrë rigoroze burkën në hapësirat publike, do të diskutohet në Asamblenë Franceze në muajin maj.