Vullkani, rihapet hapësira ajrore
Situata e trafikut ajror në Europë po qetësohet pas gati një javë pezullimi të detyruar të fluturimeve për shkak të reve të hirit nga vullkani i shpërthyer në Islandë. Të mërkurën në Gjermani u lejuan të kryhen më shumë se gjysma e uljeve dhe ngritjeve të avionëve. Më parë autoriteti i sigurimit të fluturimeve kishte dhënë dritën e gjelbër për rifillimin e fluturimeve normale. Shumë kompani shpresojnë që në orët në vijim, të zhvillojnë fluturimet sipas planit. Në vende të tjera europiane, sipas të dhënave të Eurokontrollit, u lejuan fluturimet për rreth 75 për qind të të gjitha lidhjeve. Dhjetëra mijëra pasagjerë ndërkaq kanë mbërritur në destinacionet e tyre. Ministri gjerman i Komunikacionit Peter Ramsauer mbrojti në Bundestag një pjesë të menaxhimit të krizës të kritikuar dhe bllokimin e hapësirës ajrore, si të domosdoshme për sigurinë. Por ndërsa në shumë vende të Europës, trafiku ajror po i kthehet normalitetiti, disa aeroporte në jug e në veri të Suedisë dhe në jugperëndim të Norvegjisë , janë mbyllur deri në një urdhëri të ri. Vendimi është marrë pas rikthimit të resë së hirit vullkanik që vinte nga Islanda. Ndërsa në Danimarkë, është deklaruar rikthimi në normalitet i trafikut në të gjithë hapësirën ajrore. Aktiviteti në aeroportin Parisian "Sharl de Gol", është kthyer gjithashtu në normalitet. Gjatë natës janë mundësuar edhe lidhjet ndërmjet Kinës dhe Europës. nga Shangai janë nisur fluturimet edhe për në Moskë, Paris dhe Frankfurt. Gati një javë pas paralizës së shkaktuar nga hiri i një vullkani që shpërtheu në Islandë, hapësira ajrore europiane është rihapur thuajse e gjitha për fluturime. Kjo ishte pasojë e presionit të ushtruar nga industria e fluturimeve që thotë se ka humbur rreth 1.7 miliardë dollarë. Operatorët në aeroportin më të madh të Evropës, Heathrow, presin te realizohen 90 përqind e fluturimeve. Ndërkaq edhe në Finlandë, aeroporti kryesor i vendit mbetet i mbyllur përsëri.