Ndalja e karrierës së pinjollëve të nomenklaturës, një detyrim i fundit i ish-të përndjekurve
Nuk është për t’u çuditur se Ditmir Bushati është bërë njeri nga kasnecët kryesorë të Edi Ramës. Kohë e pa kohë sa herë që flitet për marrëdhëniet tona me Europën demokratike, mbush ekranet e televizioneve duke predikuar se sa shumë “i qan zemra për demokracinë”. Si një kasetë me shirit të prishur përsërit si në jerm “hapjen e kutive të Edi Ramës”. Në daljen e parë publike gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 28 Qeshorit, ky pinjoll i diktaturës komuniste u shpreh se ishte “krenar” për të Atin që kishte qenë në kupolën e regjimit komunist, si Sekretar i parë i komitetit të partisë në Dibër, Kukës, Lushnjë etj, dhe se njerëzit “paskan respekt për komunistin e ndershëm”. Në atë kohë me anën e një shkrimi i kam bërë me dije këtij “bolsheviku të vogël” se e kundërta ishte. Në të gjitha rrethet ku ka shërbyer Sulejman Bushati ka lënë gjurmë dhe plagë që nuk shërohen në memorien e njerëzve që u persekutuan mizorisht në të gjitha pikëpamjet. Por “bolsheviku i vogël” as nuk u skuq dhe as nuk u zbeh për këtë punë. Përkundrazi e ngriti më lart sqepin dhe si gjeli majë plehut së bashku me një shumicë pinjojsh të tjerë të kastës së kuqe enveriste u grumbulluan në stanin e Edi Ramës, duke kakarisur si pulat dhe lehur si qentë. Komiteti i Partisë ishte ngrehina më e tmerrshme, më e urryer, në të cilën ditë e natë dhe pa pushim fabrikoheshin planet e mjerimit, skamjes, persekutimit, gjyqeve të inskenuara, burgosjeve, dënimeve e pushkatimeve. Prej aty niseshin me nxitim direktivat e Komitetit Qendror dhe të Enver Hoxhës për luftën pa kompromis kundër armikut të klasës. Nga ajo ngrehinë e llahtarshme u bënë planet dhe u inskenuan gjyqet për varjen në litar të Havzi Nelës, për pushkatimin e hasjanve të pafajshëm se gjoja “deshën të vrisnin Ramiz Alinë”, burgosjet, internimet, pushkatimet etj. Një mizëri besnikësh të partisë shpërndaheshin si shushunjat, për të zbuluar të tjerë armiq të pazbuluar, se kishte ardhur “plani” për të dërguar fuqi puntore në Spaç, Qafë-Bari, Ballsh dhe kudo nëpër Shqipëri, nëpër burgjet e kampet e punës së detyruar. Ishte regjimi që mbi frikën dhe tmerrin kërkonte të zgjaste sundimin barbar. Motrat tona u mplakën dhe nuk u bënë kurrë Nëna, se burrat e tyre mbetën në galeritë e minierave. Mbetën ashtu të mjera me trasta në krah, me ato pak ushqime që u dërgonin burrave dhe vëllezërve të tyre për të mbajtur frymën gjallë. Dhe në krye të kësaj ngrehine qëndronte si korb i zi ai që quhej Sekretari i Parë, Zeusi i asaj njësie administrative. Ai që kishte në dorë fatin e njerëzve “skllevër”. Dhe njerëzit urrenin ashtu në heshtje, urrenin dhe mallkonin xhelatët komunistë. Në Kukës Sulejman Bushatit i kishin vënë nofkën dhe e quanin ndryshe “Tane Banushi”, jo për të injoruar artistin shkodran të humorit por me sa të kishin mundësi për të injoruar “shokun Sulë” si e quanin komunistët. Sula i jepte tepër rëndësi vetes duke lëshuar batuta andej-këndej duke u përzier me masat punonjëse që të “lumtura” po ndërtonin socializmin, me barkun bosh, të zbathur dhe zhveshur. Batutat e tij morën dhenë duke u përzier me ato të Pal Vatës dhe njerëzit e lodhur gajaseshin së qeshuri, sepse Sula e pëlqente shumë mishin e qengjit që e priste kudo në organizatat e partisë pas mbledhjeve maratonë. Hante Sula i babëzitur dhe kooperativisti nuk merrte për ditë pune as bukën e thatë të misrit hibrid. Pasi ngopej mirë e mirë dhe rakia e koperativës e kishte bërë xurxull, shpërndante shënd e verë buzëqeshje me helmin si të gjarpërit duke piketuar armiqtë e klasës që duheshin burgosur a internuar. Duke luftuar armikun e klasës, Sula luftonte dhe gjurmonte ndonjë dele a dhi që fshatarët i mbanin të fshehura sa për një pikë qumësht për fëmijët e tyre të uritur. -Një dele apo dhi që e mban fshatari është baraz sa për të strehuar një diversant-ulërinte Sula në mbledhjet me atë që quhej “fshatarësia koperativiste”. Dhe pas këtyre mbledhjeve vinte stuhia, stuhia kundër armikut të klasës. Vërshonin operativët e sigurimit, instruktorët e Komitetit të partisë, të Komitetit Qendror. Ata shikonin brezin kufitar, vigjilencën revolucionare, Klonin e telave me gjëmba, gjithçka nepër skutat që syri vigjilent i partisë nuk kishte depërtuar. Kamionët e ngarkuar me gra, plaka e fëmijë të vegjël në vapën e gushtit dhe acarin e dimrit, transportonin nga fshatrat e largëta të Hasit për t’i internuar “armiqtë e popullit dhe kulakët”, duke i degdisur në skajet e tjera të Shqipërisë. Dhe këtu ishte firma dhe miratimi i shokut Sulë.
Pas rënjës së komunizmit disa miq të mijë demokratë u munduan të më bënin një suprizë.Diku aty në hyrje të rrugës së Kavajës në Tiranë, Sula kishte hapur një dyqan me mallra gjithfarësh dhe shiste e shiste pa pushim pasi kishte angazhuar edhe çirakë të tjerë. Ky ishte “dënimi”që demokracia i kishte bërë shokut Sulë. Ai tani kishte ndërruar zanatin dhe po pasurohej sa mundej pasi pasurinë e shtetit dhe dyqanet kudo nëpër Tiranë e kudo gjetkë i privatizuan komunistët, ndërkohë ish-të përndjekurit politikë të diktaturës komuniste morën “çelësat e kashtës”. Duke sharë dhe mallkuar demokracinë, kriminelët e diktaturës komuniste u pasuruan duke u kapardisur m’u në zemër të Tiranës - e së bashku me ata edhe Sula. Dhe në vitin 1997, realizuan atë çfarë u kishte mbetur akoma pa bërë; i vunë zjarrin Shqipërisë dhe përmbysën qeverinë demokratike.
Për të gjitha këto arsye unë i them të birit të Sulejman Bushatit se të paktën duhet të heshtë. Politika ka një moral. Në të drejtën ndërkombetare nuk mundet që i biri të përgjigjet penalisht për të atin por në rastin konkret i biri i Sulejman Bushatit është i biri i një krimineli dhe nuk mundet Shqipëria dhe demokracia t’i hapë rrugën e karrierës së tij të infektuar nga e kaluara kriminale; atij dhe miqve të tijë të idealit komunist.
Ne ish-të përndjekurit politikë të diktaturës jemi në të drejtën tonë para Zotit dhe ligjit të akuzojmë. Ish-kriminelët e diktaturës dhe pinjojt e tyre të brezit të dytë duhet të ulin kokën dhe të kërkojnë falje. Koha e tyre për të sunduar me mjete të mashtrimit dhunës dhe violencës ka përfunduar.Me këtë rast po kujtoj shprehjen e famshme të Viktor Hygo se “absolutisht asgjë nuk e ndalon kohën”. Fashizmi dhe komunizmi,dy sistemet kriminale të shekullit të shkuar, si vëllezër siamezë, si lugeter te neveritshem, popujt e botës i kanë hedhur në koshin e plehrave te historisë.
Autori është Sekretar i përgjithshëm i Shoqatës Antikomuniste të ish-të përndjekurve politikë, Dega e Tiranës