Paqja në tragjedi dhe zbardhja e masakrës së Katynit
Nuk ekziston vdekja e mirë. çdo vdekje tragjike është e pakuptimtë dhe e paqëllimtë. Por, sot, polakët mund t’i japin kuptim kësaj tragjedie të paprecedentë në historinë e vendit të tyre.
Në 70 vitet e fundit, emri Katyn ka qenë pak i njohur për pjesën më të madhe të njerëzve në Perëndim. Nga një pjesë e polakëve është parë si simbol i rusofobisë. Paradoksalisht, ajo çfarë ndodhi të shtunën në Smolensk e bën këtë nocion të vjetruar. Për shkak të tragjedisë së fundjavës së kaluar, vrasja e 22 mijë oficerëve polakë nga rusët më 1940, do të bëhet dije e përgjithshme. Ne, polakëve, kjo na kujtohet shumë mirë, por për shkak se aleatët perëndimorë donin t’i shkonin për shtati Rusisë, ata zgjodhën që ta mbështesnin propagandën ruse, e cila për masakrën në Katyn fajësonte nazistët gjermanë.
Tash, e vërteta do të njihet gjerësisht – dhe e vërteta është kriteri i parë i çdo lloj pajtimi.
Paradoksi i dytë është fakti se reagimi i rusëve ndaj vdekjeve - një rrëzim aeroplani që mori jo vetëm jetën e presidentit polak, por edhe të shumë zyrtarëve tjerë të Qeverisë dhe të gjithë krerëve më të lartë të ushtrisë në rrugën e tyre drejt Katynit - është duke krijuar një situatë unike. Pajtimi autentik ndërmjet polakëve dhe rusëve, njësoj si ai ndërmjet francezëve dhe gjermanëve, nën kryesimin e Charles De Gaulle-it dhe Konrad Adenauer-it, tash është bërë i mundshëm.
Në Rusi, sot njerëzit janë duke qarë së bashku me ne. Edhe pse, nëse shikohet nga perspektiva jonë, aktualisht atje janë duke ndodhur gjëra shumë të rëndësishme. Kryeministri Vladimir Putin foli për krimin sovjetik në Katyn. Ai uli kokën në shenjë respekti për viktimat së bashku me Kryeministrin Polak, Donald Tusk. Pas tragjedisë në Smolensk, Presidenti Rus, Dimitry Medvedev, iu drejtua qytetarëve polakë dhe e deklaron të hënën ditë zie në Rusi. E fundit, por gjithashtu e rëndësishme, Vladimir Putin udhëtoi në Smolensk, inicioi një hetim për shkaqet që çuan në rrëzimin e aeroplanit, dhe përqafoi Kryeministrin Tusk, në një çast solidariteti spontan. Televizioni shtetëror rus, në kohën e shikueshmërisë më të madhe, transmetoi filmin e Andrzej Wajdas për Katynin, i cili e lëndon ndërgjegjen ruse. është një det i tërë lulesh në ambasadën polake në Moskë. Rusia ia ka hapur zemrën e saj Polonisë, por gjithashtu ia ka hapur zemrën vetes: historisë së saj dhe historisë së stalinizmit rus, i cili vrau miliona rusë dhe qytetarë të tjerë sovjetikë. Dy kombe sllave duhet të jenë në gjendje të pajtohen në një moment të tillë. Demokracia e re polake - dhe Polonia e re e pavarur - do të tronditet nga kjo tragjedi, por do të mbijetojë. Polakët sot po dëshmojnë se si komb, janë gati për liri - po atë liri e cila iu ka munguar dëshpërimisht në 200 vitet e fundit të historisë së tyre.
Shpresoj që partia qeverisëse, Platforma Qytetare, do ta vendosë interesin kombëtar para interesave të partisë, me rastin e emërimit të njerëzve të rinj në funksionet që kanë mbetur të zbrazëta, në frymën e pajtimit kombëtar. është shumë e vështirë të parashikohen të gjitha pasojat politike të rrëzimit të aeroplanit në Smolensk. Por, për një gjë jam i sigurt: polakët do ta kalojnë këtë provim të vështirë me sukses të plotë.