E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndalohen 13 simpatizantë të PS-së, sillen në Tiranë



Policia e Shkodrës ka ndaluar dje 13 anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Socialiste. Sipas Keti Bazhdarit, anëtar i Asamblesë së Partisë Socialiste në Shkodër, 2 furgonët me të shoqëruarit janë nisur mëngjesin e djeshëm drejt Tiranës, pasi urdhri ishte marrë nga Drejtoria e Policisë në kryeqytet. Bazhdari ka deklaruar se 13 simpatizantët janë shoqëruar pa asnjë mandat, çka përbën shkelje të ligjit. Ndërkohë, Drejtoria e Policisë së Shkodrës nuk ka pasur asnjë reagim, por jashtë kamerave, drejtues të Policisë së qytetit verior shprehen se shoqërimi i 13 mbështetësve të opozitës ka ardhur pas një urdhri të lëshuar nga Tonin Vocaj, numri 1 i Policisë së Tiranës. Pas tri javësh protesta numri i të shoqëruarve në qytetin verior ka shkuar deri në 50.

Ylli: “Opozita nuk do të tërhiqet nga kauza e saj për transparencën”

Opozita ka zhvilluar dje protestën e radhës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në mbështetje të grevës së urisë së deputetëve të PS-së dhe mbështetësve të saj për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Deputeti socialist, Fidel Ylli, në fjalën e tij deklaroi se opozita nuk do të tërhiqet nga kauza e saj. “Sali Berisha i ka vjedhur këto zgjedhje dhe opozita nuk tërhiqet nga kjo kauzë. Është një e drejtë që nuk e pengon as Kushtetuta shqiptare, as ajo e zotit Fyle, dhe as ajo e zonjës Pak. Kjo është një opozitë që do t’ju nderojë dhe do ta çojë deri në fund betejën për votën e lirë”, - tha Ylli.

Veliaj: “Deputetët e PD-së të mos bëhen zëdhënës të Berishës”

Kreu i lëvizjes “G99”, Erjon Veliaj, nga çadra e urisë u ka bërë thirrje deputetëve të Partisë Demokratike të mos bëhen zëdhënës të Berishës. “Sot kemi pasur një ditë të vështirë, pasi deputetja Olta Xhaçka u largua nga greva e urisë, edhe pse insistonte të qëndronte. Por kishim edhe një moment tjetër të vështirë, si ajo e deklaratave që mbërritën nga deputetja Adriana Gjoni, sikur ne këtu ushqehemi”, - u shpreh Veliaj. Sipas tij, Berisha i bën të kthehen në të tillë, pasi është mënyra e vetme që të rrinë pranë tij. Ndërkaq ai i ka cilësuar këto ditë të grevës së urisë si të fundit, para se, sipas tij, të marrë fund e gjitha kjo me hapjen e kutive dhe bërjen e transparencës së plotë të zgjedhjeve të 28 qershorit.

19 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›