Presidenti Topi: “Duhet vullnet politik për të zgjidhur krizën”
Eljona Ballhysa
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ndërsa ka deklaruar se në zyrën e tij nuk po zhvillohen negociata, u ka bërë apel partive politike që të tregojnë vullnet politik për ta zgjidhur krizën. I pyetur nga mediat, kreu i shtetit u shpreh se janë të gjitha hapësirat ligjore për të gjetur zgjidhjen e krizës politike dhe për këtë mjafton që palët të shfaqin vullnet politik për të rivendosur në radhë të parë dialogun dhe për të gjetur në këtë mënyrë mekanizmat ligjorë. Kreu i shtetit ngriti si shqetësim mosfunksionimin e plotë të institucioneve shtetërore për shkak të krizës politike, ndërsa u bëri apel palëve të dialogojnë. Përsa i përket pyetjes nëse ai do të ushtrojë të drejtën për të vënë në lëvizje Komisionin e Venecias, Topi nënkuptoi se nuk do ta marrë këtë nismë.
Apeli
I pyetur nëse po bëhen negociata për zgjidhjen e krizës politike, presidenti Topi u shpreh: “Në zyrën time jo”. Ndërsa shtoi se ai po e ndjek me shumë vëmendje situatën politike në vend dhe apeloi që palët të gjejnë sa më parë zgjidhje. “Por, mund t’ju them që kam demonstruar në mënyrë të vazhdueshme, po ndjek me shumë vëmendje dhe inkurajoj dialogun politik. Kjo është një çështje që sigurisht po krijon një lloj situate jo të këndshme, sepse njerëzit, pa dyshim, janë të ndjeshëm; institucionet kanë nevojë që të funksionojnë në tërë dimensionet e veta. Gjithsesi, çelësi i suksesit është dialogu politik, afrimi i dy palëve; së pari për të riinstaluar dialogun, pastaj për t’u futur në ato terma, të cilat, mbi të gjitha, janë mekanizma ligjorë. Pra sot ne nuk jemi në një moment kur kemi mangësi strukturash institucionale dhe mungesë dijesh. Unë mendoj që janë të gjitha instrumentet për të shkuar drejt zgjidhjes së një krize, e cila së paku për mekanizma ligjorë dhe institucionalë nuk mungon. Pra duhet edhe vullneti dhe i inkurajojmë”, - është shprehur presidenti Topi. I pyetur nëse do t’i drejtohet Komisionit të Venecias në qoftë se këtë ia kërkon Partia Socialiste, kreu i shtetit, në përgjigjen tij nënkuptoi se nuk do ta ndërmarrë një veprim të tillë, ndërsa shpjegoi se edhe partitë politike, nëpërmjet Gjykatës Kushtetuese, kanë të drejtë të vënë në lëvizje Komisionin e Venecias. “Problemi është mëse i qartë. Këtu nuk është problemi nëse ua kërkojnë, është problemi që ekzistojnë të gjitha mundësitë e institucioneve, e partive politike, e 28 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Lexoni Kushtetutën, lexoni ligjet se si mund të vihet në lëvizje Gjykata Kushtetuese dhe pastaj për të kaluar në Komisionin e Venecias dhe si mund të vihet në lëvizje ky komision. Pra janë gjëra shumë të qarta, mjafton t’i studioni dhe t’i interpretoni mirë”, - është shprehur Presidenti i Republikës.
Një deklaratë e tillë vjen në ditën e 18-të të grevës së urisë së deputetëve dhe simpatizantëve të Partisë Socialiste, të cilët kërkojnë transparencën e plotë të procesit zgjedhor. Ndërkaq, PS-ja mbështeti propozimin për kompromis të bërë nga ndërkombëtarët për hapjen vetëm të kutive të materialeve zgjedhore për hetimin e zgjedhjeve, si dhe për interpretimin e kërkesës së PS-së për rinumërimin e votave nga Komisioni i Venecias. Por ky propozim i ndërkombëtarëve nuk gjeti mbështetjen e maxhorancës, e cila e cilësoi antikushtetues, pasi sipas PD-së, nuk mund të ndahen kutitë e materialeve zgjedhore nga kutitë e fletëve të votimit.
19 Maj 2010