E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndalohen dy turq, iu mbaroi afati i qëndrimit në Shqipëri



GJIROKASTËR - Dy shtetas turq, më banim të përkohshëm në qytetin e Gjirokastrës, u shoqëruan të martën në komisariat, pasi nuk kishin rinovuar lejen e qëndrimit në shtetin tonë. Gentian Mullai, zëdhënës i policisë së qarkut të Gjirokastrës, tha se “Selman Keyf, 37 vjeç dhe Ergyn Arabaci, 35 vjeç, me profesion bojaxhinj u shoqëruan rreth orës 12:00 të ditës së marte, për shkelje të afateve të qëndrimit në Republikën e Shqipërisë”. Mësohet se dy shtetasit turq u transportuan për veprime të mëtejshme në Tiranë.

SHKB kap policin, futi celularin në qeli

SARANDË – Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm vuri në pranga punonjësin e policisë Fatmir Mecani, pasi në kundërshtim flagrant të ligjeve, futi një aparat celular në mjediset e paraburgimit të komisariatit të Sarandës. Burimet policore shprehen se menjëherë pas konstatimit të ngjarjes u ndalua polici 42-vjeçar, i cili, mësohet se ka marrë një sasi lekësh për të futur celularin në qeli. Mecani do të përballet me akuzën e shkeljes së rregullave gjatë ushtrimit të detyrës. Prej kohësh është dhënë alarmi për futje të sendeve të ndryshme nëpër burgje, ku rasti më flagrant ishte ai në Burrel, ku me dhjetëra të dënuar VIP tentuan të arratiseshin.

Kina dhuron skanerin për kontrollin në pikën doganore

DURRES – Tashmë doganierët do ta kenë më të lehtë të kontrollojnë ngarkesat që hyjnë dhe dalin nga porti në i madh i vendit, falë ndihmës së dhënë nga qeveria kineze, pasi dje ka mbërritur në vendin tonë një skaner me rreze X, i cili bën të mundur kontrollin e detajuar të gjithë kamionëve. Pajisja e re me vlerë 3 milionë dollarë është dhuratë e qeverisë kineze për sistemin tonë doganor. E gjithë aparatura përmes një sërë sensorësh ka aftësi të zbulojë 40 lloje mallrash të ngarkuar në mjete. Gjithashtu me anë të kësaj aparature mund të zbulohen lëndët narkotike, armët dhe emigrantët klandestinë pa qenë nevoja që trajlerat apo kamionët të shkarkojnë mallrat e ngarkuara siç ka ndodhur deri më dje. Në ceremoninë e organizuar në terminalin e kontenierëve në portin detar të Durrësit mori pjese kryeministri i vendit Sali Berisha si dhe Ambasadori kinez në Tiranë Junling. Në fjalën e tij Berisha theksoi se ”instalimi i skanerit të parë me rreze X është një ngjarje e rëndësishme për sigurinë e vendit, që rrit transparencën doganore, lehtëson funksionimin e doganës si dhe përmirëson në mënyrë të ndjeshme shërbimin ndaj biznesit”. Berisha garantoi drejtuesit e doganës se qeveria do ta mbështesë doganën që brenda këtij viti të pajisë me skanera me rreze X edhe pikat e tjera doganore në vendin tonë. Që nga viti 1999 e në vazhdim qeveria kineze i ka dhuruar Shqipërisë 10 milion $ ndihma në formë grantesh.

Evazioni fiskal, bllokohen 85 biznese në Fier

FIER. - Drejtoria e Tatim -Taksave në Fier ka marrë një sërë masash penalizuese ndaj subjekteve debitore, që variojnë nga bllokimi i llogarive bankare, bllokim i aktivitetit, deri në kallëzim penal. Drejtori i Drejtorisë së Tatim-Taksave, Zaho Jaca, tha të martën se ”borxhi tatimor i regjistruar pranë kësaj drejtorie në fund të tremujorit të parë arriti në 2.308.090.000 lekë. Borxhi i sektorit shtetëror arrin vlerën 86,3%, duke kapur shifrën e 1.988.900.000 lekë, ndërsa sektori privat vetëm 13,7% , ose 316.805.000 lekë". Sipas tij, janë marrë të gjitha masat që nga ato sensibilizuese deri te penalizimet, për detyrimin e subjekteve që të shlyejnë borxhin tatimor. Për këtë tremujor është nxjerrë urdhër bllokim i llogarive bankare për 85 subjekte, ndërkohë që për 52 subjekte të tjera është nxjerrë urdhër bllokimi për të tretët, në të gjitha degët e doganave. 21 subjekte debitore janë ndëshkuar me bllokim të aktivitetit, ndërsa për 16 të tjera është vendosur sekuestrim i pasurisë.

16 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›