E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reshjet e djeshme të shiut frynë Lanën, bllokuan rrugët

Reshjet e mesditës së djeshme kanë bllokuar për rreth 30 minuta një numër të madh rrugësh në kryeqytet. Kalimtarët e kanë pasur të vështirë të kalojnë nga njëri trotuar në tjetrin, gjatë kohës kur shiu ka rënë me rrëmbim. Kjo, jo dhe aq prej furisë së reshjeve, se sa prej pellgjeve të krijuara buzë trotuareve, në pamundësi për të qarkulluar në pusetat e posaçme për këtë qëllim. Ndërkohë që më të vështirë duket se e kanë pasur banorët dhe drejtuesit e bizneseve në pallatet pranë Lanës, e sidomos në pjesën më afër Qytetit të Nxënësve. Aty ujërat e rrëmbyeshëm e kanë kaluar nivelin normal të buzëve të betonuara të Lanës dhe janë ngritur drejt formatit të gjelbër të saj. Por, fatmirësisht nuk kanë mundur që të ngjiten në rrugë dhe të shkaktojnë dëme. Lana është mjaft e ngarkuar, edhe për faktin se aty derdhen një pjesë e ujërave të zeza të kryeqytetit. Ndaj këto reshje shiu, ndonëse të forta dhe të rrezikshme, kanë mundur që të pastrojnë disi ujërat e errëta të përroit të Lanës, që përshkon mes përmes Tiranën, metropolin shqiptar. E duket se kjo nuk do të jetë ndër të paktat herë që do të ndodhë kështu. Sipas të dhënave paraprake të Institutit të Shkencës dhe Klimës të Këshillit Kombëtar të Kërkimeve në Bolonja (Isac-Cnr), bëhet e ditur se pas pranverës 2007, që ishte ndër më të nxehtat e 200 vjetëve të fundit, kjo aktuale rezulton ndër më të lagështat e dy shekujve të fundit.

"Pranvera 2008 klasifikohet ndër më të lagështat e dy shekujve të fundit, me 35 për qind reshje më shumë krahasuar me mesataren e periudhës 1961-1990, që klimatologët e marrin si pikë referimi", thuhet në një deklaratë të këtij instituti.
Studiuesit, që punojnë pranë këtij instituti, e rreshtojnë pranverën 2008 në vendin e tetëmbëdhjetë për nga lagështira dhe në atë të shtatëmbëdhjetë për nga temperaturat e ulëta që nga viti 1800, kur kanë filluar të mbahen të dhënat për ecurinë klimaterike.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›