E Shtunë, 31 Tetor 2026

LRI ngre grupin e monitorimit

Lëvizja Rinore për Integrim në prag të fillimit të provimeve të Maturës Shtetërore do të krijojë një grup monitorimi të kryesuar nga maturantë dhe specialistë nga më të njohurit të arsimit në vend. Kjo është një nismë e re në ndihmë të të gjithë maturantëve që aplikojnë për të hyrë në universitet.

"Ky grup ka si qëllim ndjekjen hap pas hapi të të gjithë procesit të Maturës Shtetërore, të të gjitha etapave për kalimin nga shkolla e mesme në universitet, duke qenë gjithmonë i pranishëm nëpërmjet evidentimit të çdo problemi që mund të haset, nisur edhe nga eksperienca e vitit të kaluar ku dhjetëra maturantë të shkëlqyer u lanë jashtë auditorëve të fakulteteve dhe qindra të tjerë u përballën me probleme nga më të ndryshmet, ku dhe nuk fituan degën e preferuar", theksojnë drejtuesit e LRI-së. Sipas tyre, ngritja e këtij grupi monitorimi të Maturës Shtetërore u krijon mundësi dhe u hap derën të gjithë maturantëve që kërkojnë të vënë në vend një të drejtë të shkelur. Sot është edhe provimi i parë i maturës, ai i lëndës së letërsisë, të cilit priten t‘i nënshtrohen rreth 33 mijë maturantë në të gjithë vendin.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›