E Diel, 1 Nëntor 2026

Rektori, Berishës: Na miratoni projektet

Rektori i Universitetit "Aleksandër Xhuvani" në Elbasan, prof. as. dr. Liman Varoshi, e ka shfrytëzuar vizitën e Kryeministrit Sali Berisha të shtunën në këtë institucion për të vënë në dukje jo vetëm ecurinë e investimeve të qeverisë në infrastrukturë në këtë universitet, por për të theksuar se nevojat që ai ka nga qeveria janë shumë më të gjera. Rektori Varoshi nënvizoi kërkesën për mbështetjen nga ana e qeverisë të projekteve të këtij universiteti për hapjen e programeve të diplomës së nivelit të dytë, për kthimin e Universitetit të Elbasanit në qendër kombëtare të përgatitjes dhe trajnimit të mësuesve e kështu me radhë. Investimet e shtetit në infrastrukturën e Universitetit të Elbasanit janë rritur në masën 350 për qind në vitin 2008 krahasuar me vitin 2006. Duke falënderuar për këtë qeverinë, rektori Varoshi theksoi se kjo është meritë edhe e faktit se profesorati i Universitetit të Elbasanit ka qëndruar dhe do të vazhdojë të qëndrojë mbi politikat e ditës, duke nënkuptuar këtu distancën që mban ky institucion nga debatet mediatike dhe nga konfliktet publike. Ai theksoi se ajo që e preokupon atë më shumë është zhvillimi i Arsimit të Lartë në qytetin e Normales.

Kjo ishte vizita e dytë që Kryeministri bëri brenda 30 muajve në Universitetin e Elbasanit. Ai vëzhgoi punimet për rikonstruksionin e godinës dhe nxiti pedagogët të aplikojnë për Fondin e Ekselencës, të marrin pjesë në programin "Brain Gain", si dhe të bëhen pjesë e nismave qeveritare në teknologjitë e informacionit dhe në përhapjen e mësimdhënies së gjuhës angleze.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›