Ndaluni vëllezër! Pse vraponi kështu drejt vdekjes?!"
Ndaluni vëllezër! Përse vraponi kështu drejt vdekjes?! Krimbi i keq po jua gërryen trurin e ju heq logjikën. Ndaluni!!! Jemi pak, vërtetë shumë pak! Me gjithë hallet e shumta që fatkeqësisht duhet t,i përballojmë ne shqiptarët, e me gjithë urimet e bukura që i dhamë njëri-tjetrit për një Vit të Ri të mbarë, ky vit ka filluar mbrapsht. Po, po, tamam mbrapsht. Mbas një nate të zhurmshme të 31 Dhjetorit veshët na dëgjojnë vetëm aksidente, vrasje, djegie, sëmundje, izolim nga dëbora... ç'po ndodh me ne?!
Ditën e parë të vitit, vriten motër e vëlla "për Kanun". Kush e ka fajin? Kush na mbron vëllezër?!
Rrugët tona janë mbushur me lapidarë të viktimave të aksidenteve, që edhe të duash të harrosh janë aq shumë saqë të thërrasin, të flasin, të këshillojnë: "Kujdes vëlla, kujdes, mos shpejto!". E, megjithatë, ju vëllezër, vraponi me shpejtësi marramendëse, në rrugë me probleme, të parregulluara mirë, me probleme të sinjalitikës, me probleme të lagështirës, me probleme të ndriçimit e tjerë. E di. Ke hall, ke punë, ke festë... Prit, do e kalosh e puna do përfundohet. E ti do festosh. Ndalo. Në makinë ke grua dhe fëmijë! Fati është vetëm në dorën tënde! Ndalo vëlla, ndalo! Në kronikën e parë të mëngjesit të datës 1 Janar 2008, njoftohet që një familje, burrë, grua e fëmija 5-vjeçar vdesin nga një aksident rrugor. Dhe aksidentet pasojnë njëri-tjetrin: Të vdekur në Shkodër, Ballsh, Elbasan, Milot Fushë-Krujë, Tiranë, Mamurras… Mjaft! Jemi pak vëllezër, shumë pak. Duhet të ruajmë veten. Fati e solli të jetojmë në një vend, ku forca e Shtetit është "zero", ku qeveritarët luftojnë me mish e me shpirt, vetëm për t'u bërë miliarderë para se t'i lënë radhën tjetrit; korrupsioni, atyre, u ka veshur kokat si një mjegullnajë gjigante e u ka trullosur mendjen vetëm për para…para…para… Ruajuni veten, vëllezër! Ne jemi pak, vërtetë pak...
Letër e nënshkruar