E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndarja e posteve, Rama mbledh sot aleatët

Edi Rama, e njëherësh kreu i koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Evropiane” mbledh sot pasdite, rreth orës 17:00, të gjithë aleatët që arritën të marrin një numër të konsiderueshëm votash, për të diskutuar me ta ndarjen e përgjegjësive në qeverisjen e re të vendit. Ashtu siç kishte premtuar, Rama do të konsultohet me aleatët, në një takim të përbashkët që nis sot, dhe më tej veç e veç me secilin prej aleatëve, për të ndarë me ta edhe pjesën që u takon, në bazë të votave të marra, në qeverisjen e vendit. 

Pasi ka saktësuar strukturën e re të qeverisë, Rama pritet të saktësojë edhe me aleatët zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar para zgjedhjeve. Kështu, në këtë marrëveshje të firmosur nga 37 partitë e koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Evropiane” thuhet se: “Pas fitores në zgjedhjet e 23 qershorit 2013 është e gatshme për të bashkëqeverisur me çdo forcë politike që përfaqëson një numër votash si shprehje të vullnetit të popullit, në nivel qarku nga 500 deri 1000 vota dhe në nivel kombëtar 5000 deri 10.000 vota, pa cenuar statusin e nëpunësit civil dhe në respekt të çdo ligji që rregullon marrëdhëniet e administratës publike”. “Për subjektet politike që do të arrijnë të marrin mbi 10.000 vota, do të ketë një bashkëqeverisje të shtrirë në nivel lokal dhe qendror”, vijon marrëveshja. Ndërkohë që, kur një parti merr një mandat, ajo mund të kërkojë një vend në qeverinë e koalicionit pas zgjedhjeve, por kjo duhet të konsultohet me partitë e tjera. Pas zgjedhjeve, sipas llogaritjeve të para, është thënë se, LSI është partia që mund të përfitojë 4 deri në 5 ministri, pasi në këto zgjedhje ajo ka arritur të marrë afërsisht 200 mijë vota. 

LSI ka tashmë edhe vendin e Kryetarit të Kuvendit, që do të jetë kreu i partisë, Ilir Meta, ndërkohë që një sërë pozicionesh të tjera do t’i takojnë kësaj partie në nivel lokal. Çdo gjë pritet të saktësohet në ditët në vijim, në takimet që do të zhvillohen, por në bazë të marrëveshjes janë dy prej partive të koalicionit të madh të PS-së që do të përfitojnë poste ministrore. PBDNJ ka fituar një mandat deputeti, ndaj edhe ka pretendimet për të drejtuar një ministri. Edhe Partia Kristian Demokrate e Shqipërisë me marrjen e një mandati në Kuvendin e Shqipërisë, fiton automatikisht të drejtën për të kërkuar edhe një dikaster në qeverinë “Rama”. 
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb) Lidhje te tjera Qeveria, Rama: 16 ministri e 3 ministra shteti. Berisha: Ndarje torte për orekse të sëmura

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›