Skënderbeu në delir, kërkon "play-off"-in e Champions-it
Është mësuar dje edhe data dhe ora e ndeshjes së parë me kundërshtarin e Skënderbeut në turin e tretë të Ligës së Kampioneve. Shakhtar Karagandy-Skënderbeu Korçë do të luhet më 30 korrik, në orën 19:00 sipas orës shqiptare, ndërsa ndeshja e kthimit do të luhet më 6 gusht në stadiumin "Skënderbeu", por ora nuk është përcaktuar ende për ndeshjen e kthimit. Duke parë që përballë është një ekip jo me shumë eksperiencë në Champions, pasi merr pjesë për herë të dytë, korçarëve tashmë u është shtuar "oreksi". Vërtet kazakët kanë eliminuar një ekip të fortë si Bate Borisov, por Shakhtar Karagandy nuk është në përbërje ndaj Skënderbeut. Kualitetet janë pak a shumë të njëjta, kështu që edhe shanset janë pak a shumë të barabarta. Nëse Skënderbeu do të kalonte turin e tretë, atëherë do të kalonte në ndeshjet "play-off" të Champions-it, ku nuk do të ishte çudi një përballje me një ekip europian, duke e quajtur si arritjen më të madhe në futbollin shqiptar me klube. Kampionët edhe dje kanë festuar, ndërsa nga sot do të nisin përgatitjet për ndeshjen e parë.
(a.k/E.Ilnica/BalkanWeb)
(a.k/E.Ilnica/BalkanWeb)