E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndarja e ujërave me Greqinë, Olldashi: Nuk cenon transportin detar



Ministri i Punëve Publike dhe Transporteve, Sokol Olldashi, i cilësoi dje si tymnajë akuzat e opozitës sipas së cilave, marrëveshja e ujërave me Greqinë do të pengojë transportin. Gjatë raportimit në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese për progres-raportin 2009, Olldashi bëri të ditur se kjo marrëveshje mes shteteve për ndarjen e ujerave territoriale nuk prek asnjë korridor transporti. Sipas ministrit të Transporteve, ideja se ndarja e ujërave pengon transportin e anijeve, është tërësisht e gabuar dhe se asgjë nuk ndryshon në zhvillimin e këtij sektori. Duke qëndruar në ujërat shqiptare dhe në transportin ujor, ministri Olldashi akuzoi kreun e Bashkisë së Durrësit, duke deklaruar se Vangjush Dako po pengon zhvendosjen e Flotës së Peshkimit në Durrës. Sipas Olldashit, kjo po bëhet për qëllime të ulëta përfitimi, pasi kryetari i bashkisë ka planifikuar të ndërtojë dy pallate në zonën e planifikuar për flotën. “Unë jam i bindur se kjo bëhet për arsye personale të kryetarit të bashkisë, pasi ai kërkon të ndërtojë dy pallate në këtë zonë”, - tha Olldashi, duke e cilësuar rezistencën e bashkisë për zhvendosjen e flotës nga Kalata te Taulantia si të pajustifikuar dhe argumentin e ndotjes si të pabazuar. Banka Islamike ka akorduar 14 milionë euro për portin e peshkimit.

Olldashi: Negociata për aeroportin e Kukësit

Gjatë raportimit dje në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, ministri Olldashi tha se kanë nisur negociatat me kompaninë “Tirana International Airport”, për të nisur fluturimet nga aeroporti i Kukësit. Ai tha se kjo çështje do të marrë zgjidhje brenda këtij muaji dhe shtoi se kompania ka shfaqur mirëkuptimin për t’i hapur rrugë jo vetëm aeroportit të Kukësit, por edhe të Sarandës. “Ne nëntor krijohet mundësia që ne të rinegociojmë me TIA-n disa terma të kontratës, kemi bërë një diskutim paraprak dhe mua më duhet të njoftoj komisionin se kemi ngelur në një dispozitë mjaft pozitive nga koncesionari i aeroportit “Nenë Tereza” për të rinegociuar për termat e ekskluzivitetit për t’u çelur rrugë qoftë fluturimeve të brendshme, qoftë jo nëpërmjet aeroportit të Kukësit”, - tha Olldashi. Pritet që të arrihet një marrëveshje, në mënyrë që investimi prej më se 20 milionë eurosh në aeroportin e Kukësit të vihet në punë. Ministri shtoi se janë eliminuar mjaft leje në transport, veçanërisht në bashkëpunim me vendet kufitare. “Kemi liberalizuar apo lehtësuar dukshëm procedurat e licencimit të operatorëve që kryejnë transport rrugor dhe gjithashtu janë eliminuar shumë nga pengesat administrative në transportin ndërkombëtar të mallrave dhe pasagjerëve. Kështu, është eliminuar pothuajse krejtësisht problemi i lejeve të kalimit kufitar me të gjitha shtetet kufitare, përveç Italisë, duke firmosur marrëveshje të përbashkëta, të ngjashme me modelin e atyre të vendeve komunitare”, - deklaroi ai. Në lidhje me cilësinë e ujit të pijshëm dhe menaxhimit të mbetjeve urbane, Olldashi tha se gjatë vitit 2009 janë bërë investime të shumta dhe pritet që në zonat bregdetare ky problem të eliminohet.

Rruga e Arbrit, Olldashi: Rruga do të zgjerohet

Ministri Olldashi, duke iu përgjigjur interesit të deputetëve, tha se është planifikuar që Rruga e Arbrit të jetë më e gjerë se ç’ishte planifikuar në fillim. “Do të ndryshojmë kualitetin e rrugës, e cila në segmentin e parë të vet është bërë me 9 metra, por do të ndryshojmë kualitetin e rrugës, duke konsideruar një korridor të rëndësishëm, do ta bëjmë nga 9 metra në 10.5 metra, për t’i dhënë korridorit një formë të plotë”, - tha ministri. Një tjetër pikë e prekur nga Olldashi ishte edhe zgjerimi i porteve shqiptare, ku në disa prej tyre kanë nisur tashmë investimet. Ai tha se qeverisë së Kosovës do t’i jepet aksesi nga porti i Shëngjinit dhe shtoi se në këtë port do të krijohet mundësia e eksportimit të sasive të mëdha të çimentos që do të prodhohet afër kësaj zone.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›