E Diel, 1 Nëntor 2026

PE, Chountis: Zgjidhni bojkotin, ne ju mbështesim drejt BE-së



Parlamenti Evropian do të mbështesë Shqipërinë për integrimin e plotë evropian, ndërsa Shqipëria do të përmbushë të gjitha detyrimet për liberalizimin e vizave me BE-në dhe do të forcojë bashkëpunimin me PE-në. Por, Brukseli kërkon zgjidhje të shpejtë të situatës politike në vend, dhënien fund të bojkotit të opozitës dhe vijimësinë e reformave integruese. Zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta, u prit dje në Bruksel nga raporteri për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, eurodeputetin, z. Nikolaos Chountis. Gjatë takimit u trajtuan çështje që lidhen me reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave dhe atij të integrimit të plotë të Shqipërisë në BE si dhe u diskutua për zhvillimet e fundit politike në Shqipëri. Meta ripërsëriti qëndrimin e mazhorancës për një zgjidhje ligjore, e cila nuk tejkalon kompetencat e sistemit gjyqësor. Eurodeputeti grek theksoi nevojën e një zgjidhjeje të shpejtë të situatës politike, nisur nga nevojat e vendit për integrim evropian. “Puna jonë fokusohet në mënyrën se si Shqipëria po përmbush detyrimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Çështjet politike janë të brendshme dhe u takojnë partive politike. Ne urojmë që problemet e brendshme të zgjidhen në mënyrën më të mirë dhe sa më shpejt të jetë e mundur që të mund të arrihen qëllimet e qytetarëve për integrim. Puna dhe dëshira jonë fokusohet në drejtim të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, - deklaroi z. Nikolaos Chountis. Eurodeputeti grek konfirmoi më tej se ministri Meta i paraqiti një situatë objektive të të gjitha zhvillimeve në Shqipëri. Një bazë e mirë kjo, sikundër tha Chountis për një bashkëpunim konstruktiv në të ardhmen. Përfaqësuesi i Parlamentit Evropian paralajmëroi një vizitë në Shqipëri në fillim të vitit që vjen. Nga ana e tij, z. Meta e njoftoi atë për përgatitjet e qeverisë shqiptare për t’iu përgjigjur pyetësorit dhe angazhimin e saj për zbatimin e reformave të ndërmarra; e siguroi atë se Shqipëria do të përmbushë të gjitha detyrimet për liberalizimin e vizave me BE-në dhe do të forcojë bashkëpunimin me Parlamentin Evropian. Gjithashtu, z. Meta i shprehu z. Chountis vullnetin e qeverisë dhe qëndrimin e saj tepër konstruktiv për t’iu përgjigjur të gjitha kërkesave legjitime dhe të arsyeshme që vijnë nga opozita, duke theksuar se bashkëpunimi me opozitën duhet realizuar pa ndërhyrë në vendimet e gjykatave dhe pa cenuar pavarësinë e gjyqësorit, një nga shtyllat e shtetit të së drejtës, ndërtimin e të cilit e kërkon edhe Bashkimi Evropian. Z. Chountis vlerësoi objektivitetin dhe realizmin e përqasjes ndaj çështjeve të ndryshme prej z. Meta dhe shprehu mbështetjen e plotë të Parlamentit Evropian për integrimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›