Kazinotë, Berisha Bodes: Ndrysho ligjin për lojrat e fatit
Nëse një qytetar ankohet se dikush nga familja e tij harxhon para në kazino dhe për këtë ka bërë padi në polici, qeveria do të ndërhyjë me ligj që kjo kategori njerëzish të mos lejohet në kazino për herë të dytë. Kjo, me qëllim shmangien e konflikteve familjare, ndaj qeveria ka vendosur në mënyrë urgjente amendimin e ligjit me shpejtësi Kryeministri Sali Berisha kërkoi dje masa më të rrepta ndaj pronarëve dhe menaxherëve të lojërave të fatit dhe kazinove që lejojnë në kundërshtim me ligjin, që personat e paditur në polici apo në institucionet e tjera përkatëse të vazhdojnë të luajnë duke thelluar kështu konfliktin e tyre familjar. Shkak për këtë nismë janë bërë shqetësimet e ardhura në adresë të kreut të qeverisë nga një numër i madh shqetësimesh nga familjarë, bashkëshortë të personave, të cilët shpenzojnë të gjitha rrogat dhe të ardhurat e tyre, duke krijuar kështu drama të vërteta familjare, duke lënë paratë e tyre në lojërat e fatit dhe në kazino. Kryeministri Berisha përmes një njoftimi për shtyp bëri dje të ditur se në përputhje me standardet e vendeve të tjera, ligji shqiptar parashikon që personi ndaj të cilit paraqesin ankesa familjarët për këtë problem, nuk duhet të lejohet që të luajnë më në lojërat e fatit dhe në kazino. Por, sipas z. Berisha, nga ana tjetër ligji nuk është i qartë në sanksionet që duhet të merren ndaj biznesmenëve dhe menaxherëve të kësaj kategorie të biznesit, të cilët vazhdojnë të lejojnë që personat ndaj të cilëve janë paraqitur ankesa të luajnë dhe të shpenzojnë paratë e tyre. Në kushte të tilla, Kryeministri Berisha i kërkoi ministrit të Financave, z. Ridvan Bode, që të amendohet ligji me shpejtësi dhe duke përcaktuar masat më të rrepta ndaj shkelësve të ligjit, pra ndaj pronarëve dhe menaxherëve të lojërave të fatit dhe kazinove që lejojnë në kundërshtim me ligjin, që personat e paditur në polici apo në institucionet e tjera përkatëse të vazhdojnë të luajnë duke thelluar kështu konfliktin e tyre familjar.
L I G J
Nr. 8701, datë 1.12.2000
PËR LOJËRAT E FATIT, KAZINOTË DHE HIPODROMET
Neni 3/1
Mbrojtja e të miturve
Organizatorit i ndalohet të punësojë persona nën moshën 21 vjeç, si dhe të lejojë personat nën moshën 21 vjeç të futen apo të luajnë në mjediset e lojërave të fatit, kazinove dhe hipodromeve.
Neni 3/2
Mbrojtja e lojtarit
1. Në mjedisin ku luhen lojërat e fatit duhet të ekspozohet gjithmonë një shenjë e dukshme paralajmëruese për lojtarët, për të treguar mundësinë e ndikimit negativ nga lojërat e fatit.
2. Ndalohet ndërtimi/marrja me qira e mjediseve, me fushë veprimtarie lojëra fati, të ekspozuara ndaj institucioneve fetare, arsimore dhe shëndetësore.
Neni 3/3
Ndalimi i nxitjes për pjesëmarrje në lojërat e fatit
1. Ndalohet ofrimi, ndihma ose nxitja e një loje apo e lojërave të fatit në Republikën e Shqipërisë, në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji.
2. Ndalohet zhvillimi i lojërave on-line nëpërmjet internetit nga shoqëritë e licencuara, sipas këtij ligji, përjashtuar shoqëritë e basteve sportive.
3. Zhvillimi i lojërave të fatit on-line nëpërmjet internetit lejohet të kryhet nga shoqëritë e basteve sportive, vetëm pas marrjes së autorizimit nga ministri përgjegjës për ekonominë. Këshilli i Ministrave përcakton rregullat e zhvillimit të lojërave të basteve sportive on-line nëpërmjet internetit, si dhe kriteret për dhënien e autorizimit shoqërive të basteve sportive për zhvillimin e lojërave on line nëpërmjet internetit.
4. Asnjë person fizik apo juridik, i krijuar sipas legjislacionit në fuqi, nuk ka të drejtë t'i japë para hua, kredi një personi tjetër fizik apo juridik për të marrë pjesë në luajtjen e lojërave të fatit.
Neni 8
Pezullimi dhe revokimi i licencës për lojëra fati
1. Ministri përgjegjës për ekonominë, me propozimin e Komitetit të Lojërave të Fatit, pezullon për 30 ditë licencën e dhënë për lojëra fati, kur vëren se organizatori:
a) nuk shlyen detyrimet ndaj fituesve të lojës;
b) nuk zbaton ose shkel detyrimet e parashikuara në dispozitat e këtij ligji dhe në aktet nënligjore, të dala në zbatim të tij.
2. Ministri përgjegjës për ekonominë, me propozimin e Komitetit të Lojërave të Fatit, revokon licencën e dhënë për lojëra fati kur vëren se:
a) licenca është marrë në bazë të dokumenteve të rreme;
b) në përfundim të afatit të pezullimit të licencës, organizatori nuk ka shlyer detyrimet ligjore, për të cilën i është pezulluar licenca;
c) zhvillimi i veprimtarisë së subjektit të licencuar bie në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji, me akte të tjera nënligjore të dala në zbatim të tij dhe me kushtet e përcaktuara në licencën e dhënë.
Neni 16
Pezullimi dhe revokimi i licencës për kazinotë
1. Ministri përgjegjës për ekonominë, me propozimin e Komitetit të Lojërave të Fatit, pezullon për 30 ditë licencën e dhënë për kazino, kur vëren se organizatori:
a) nuk shlyen detyrimet ndaj fituesve të lojës;
b) nuk zbaton ose shkel detyrimet e parashikuara në dispozitat e këtij ligji dhe në aktet nënligjore të dala në zbatim të tij.
2. Ministri përgjegjës për ekonominë, me propozimin e Komitetit të Lojërave të Fatit, revokon licencën e dhënë për kazino kur vëren se:
a) licenca është marrë në bazë të dokumenteve të rreme;
b) në përfundim të afatit të pezullimit të licencës, organizatori nuk ka shlyer detyrimet ligjore, për të cilën i është pezulluar licenca;
c) zhvillimi i veprimtarisë së subjektit të licencuar bie në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji, me aktet të tjera nënligjore të dala në zbatim të tij dhe me kushtet e përcaktuara në licencën e dhënë.
Neni 17
1. Nëse lojërat e fatit, që zhvillohen në kazino, bien në kundërshtim ose cenojnë interesin e përgjithshëm, ministria përgjegjëse për ekonominë, kryesisht ose me propozimin e Komitetit të Lojërave të Fatit, anulon lejen për zhvillimin e tyre ose ndërpret pa paralajmërim procedurat për dhënien e lejes.
2. Rastet kur cenohet interesi i përgjithshëm, në kuptim të paragrafit 1 të këtij neni, janë:
mashtrimi i publikut;
pastrimi i parave;
cenimi i rendit publik dhe nxitja e kriminalitetit.
Neni 18
Organizatorit i jepet leje për zhvillimin e lojërave në kazino, kur ai, përveç kushteve të parashikuara në nenin 14 të këtij ligji, plotëson edhe kushtet e mëposhtme:
Lojërat të zhvillohen në salla të caktuara paraprakisht për këtë qëllim.
Përdor pajisje të standardeve të njohura bashkëkohore, sipas karakteristikave teknike të përcaktuara me ligj për të gjitha llojet e lojërave.
Punëson personel të përshtatshëm që zotëron njohuri profesionale në këtë fushë.
Ka miratimin e ministrisë përgjegjëse për rendin publik
për mbrojtjen e mjediseve, brenda dhe jashtë sallës ku do të zhvillohen lojërat.
Neni 19
Organizatorit i jepet leje për zhvillimin e lojërave ne kazino vetëm pasi ai te këtë paguar shumën prej 1 000 000 000 (një miliard) lekesh për secilën kazino, shume e cila paguhet vetëm një here, me marrjen e lejes
Neni 20
Organizatori i lojës së kazinosë nuk mund të krijojë degë ose filiale të shoqërisë brenda ose jashtë vendit pa miratimin e "ministri përgjegjës për ekonominë. Për marrjen e miratimit ai duhet të paraqesë paraprakisht kërkesë pranë Komitetit të Lojërave të Fatit, i cili e shqyrton dhe ia paraqet për miratim "ministri përgjegjës për ekonominë.
Neni 21
Rregulloret e lojërave në kazino
1. Organizatori përgatit për secilën lojë, që do të luhet në kazino, rregulloren e saj. Ai e bën të njohur këtë rregullore, në mënyrë që pjesëmarrësit në lojëra njihen me të.
2. Rregulloret e lojërave përfshijnë kryesisht:
Rregullat për mënyrën e pjesëmarrjes në lojë dhe përcaktimin e maksimumit dhe të minimumit të shumës, që paguhet për çdo lojë.
Kushtet për lejimin e hyrjes së personave në kazino.
Orën e hapjes dhe të mbylljes së kazinosë.
3. Miratimi i rregullores së paraqitur nga organizatori bëhet nga ministri përgjegjës për ekonominë, me propozimin e Komitetit të Lojërave të Fatit, në përputhje me kriteret e përcaktuara në rregulloren e miratuar për këtë qëllim.