E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legalizimet, brenda dhjetorit paratë për 2 mijë pronarë



Agjencia e Legalizimeve do të shpërndajë në muajin dhjetor rreth 14 milionë dollarë për 2 mijë pronarët e tokave që janë zënë me ndërtime pa leje. Drejtori i përgjithshëm i ALUZNI-t, Shaban Memia, tha për gazetën “standard” se me hyrjen në fuqi të ndryshimeve në ligjin e legalizimeve, agjencia është e gatshme të fillojë menjëherë me shpërndarjen e parave. “Sot (dje) ligji është botuar në fletoren zyrtare. Duhen edhe 15 ditë që të hyjë në fuqi. Ne jemi të gatshëm të procedojmë me shpërndarjen e fondit”, - tha Memia. Bëhet fjalë për ndryshimin në ligjin e legalizimeve ku u vendos që të hyjnë në proces letrat me vlerë, por edhe uljen e taksës së infrastrukturës që ndërtimet pa leje duhet të paguajnë për pushtetin lokal. Sipas Memisë, ndryshimet në ligj do të bëjnë të mundur që fondi i ALUIZNI-t për pronarët e tokave të rritet më tej.

Fondi

Deri tani, ALUIZNI ka mbledhur 2.5 miliardë lekë të reja dhe ky fund vijon të rritet. Është parashikuar që gjysma e të ardhurave që mbledh agjencia, të shpërndahen për pronarët e tokave që u janë zënë nga ndërtimet pa leje, emrat e të cilëve kanë kaluar me vendim qeverie. Deri tani janë afërisht 2 mijë pronarë që ligjërisht kanë të drejtën të kompensohen. Referuar ligjit, 1.2 miliardë lekë, ose rreth 14 milionë dollarë janë të gatshëm që të ndahen për 2 mijë pronarët. Fondi do të rritet më tej dhe në proces do të ndahet për ta. Sipas procedurave, mësohet se në muajin dhjetor ALUIZNI është i gatshëm të ndajë këto para. Paratë e tjera ose gjysma e tyre do të përdoren për urbanizimin dhe përmirësimin e infrastrukturës të zonave informale.

Procesi

Ndryshimet në ligj futën në proces, krahas uljes së taksës së infrastrukturës që shkon për pushtetin lokal, edhe letrat me vlerë. Nga ana tjetër, ata që kanë ndërtime pa leje dhe që lejohen nga ligji për të paguar tarifat sipas ligjit me bono privatizimi, duhet të bëjnë një kërkesë në Agjencinë e Legalizimeve. Kjo kërkesë duhet bërë jo më vonë se 3 muaj nga hyrja në fuqi e ligjit. Aktualisht, rreth 70 për qind e qytetarëve që kanë marrë lejen e legalizimit, e kanë paguar detyrimin financiar, por në rast se ata disponojnë bono privatizimi, qeveria do t’u kthejë lekët. Kjo do të thotë që ata të cilët e kanë paguar tashmë shtëpinë e tyre me letra me vlerë, mund të tërheqin paratë e dhëna për ALUZINI-n për t’i shkëmbyer me letra me vlerë. “Për të përfituar nga e drejta e pagesës me bono privatizimi për pjesën e mbetur të detyrimit apo për rikthimin e shumave të paguara në lekë, në këmbim të dorëzimit të bonove të privatizimit, personat duhet të paraqesin kërkesë me shkrim pranë ALUIZNI-t brenda 3 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji”, - thuhet në ligjin e qeverisë, botuar dje në fletoren zyrtare.

Kush paguan me letra me vlerë

Referuar ligjit të botuar dje në fletoren zyrtare, jo të gjithë që kanë një ndërtim pa leje, mund të paguajnë me letra me vlerë. Kështu, për parcelat ndërtimore jashtë vijave të verdha çmimi ndryshon në bazë të metrave katrorë. Me bono thesari paguajnë ata që kanë mbi 500 metra katrorë parcelë ndërtimore. Këta individë e paguajnë me vlerë tregu ndërtimin, kështu që sipas ndryshimeve ligjore, ata kanë mundësi të paguajnë me letra me vlerë deri në 50 për qind të vlerës së ndërtimit. Për parcelat ndërtimore të ndërtimeve informale brenda vijave do të paguajnë me letra me vlerë ata që kanë mbi 300 metra katrorë dhe do të mund të paguajnë vetëm 50 për qind të vlerës së ndërtimit me bono privatizimi. Për sa u përket shtesave pa leje, çdo ndërtim mbi 100 metra katrorë do të paguajë me letra me vlerë deri në 50 për qind të vlerës së ndërtimit. Nga ana tjetër, bonot e privatizimit të përfituara nga ish-të përndjekurit politikë dhe nga subjektet e tjera, gjatë procesit të privatizimit të pronës shtetërore, kanë të njëjtin trajtim me bonot e tjera të privatizimit. Taksat, tatimet dhe detyrimet e tjera financiare, që lidhen me kalimin e së drejtës së pronësisë, bëhen vetëm në lekë. Kjo do të thotë që çdokush që ka bono, mund t’i kalojë ato në këtë proces, duke e kthyer vlerën atyre në masën 100 për qind.

Bashkitë, 0.5% të vlerës së ndërtimit

Ligji i ri për legalizimet uli taksën e infrastrukturës që parashikon ligji për t’u paguar nga ndërtimet pa leje. Sipas ligjit të ri, çdo zotërues ndërtimi pa leje duhet të paguajë 0.5 për qind të vlerës së ndërtimit. Kjo taksë ishte 2 për qind në ligjin e mëparshëm. Vlera në 0.5 për qind ul në mënyrë të ndejshme taksën për legalizimin e shtëpisë, pasi në një ndërtim me vlerë 100 milionë lekë, një qytetar në Tiranë do të duhej të paguante 2 milionë lekë vetëm për bashkinë, ndërsa tani jo më shumë se gjysmë milioni lekë. Kjo taksë është ulur vetëm për ndërtimet në proces legalizimi, ndërsa për të tjerat taksa nuk ka ndryshuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›