Ndarja e zonave për drejtuesit partiakë vë përballë Erion Braçen me Blendi Klosin

S’ndalet beteja edviniste mes bolshevikëve dhe menshevikëve
Deklarata e Blendi Klosit, sekretarit organizativ të PS-së, i cili dje, ka motivuar shpërndarjen e anëtarëve të kryesisë së kësaj partie, sipas dëshirës së Edi Ramës, ka nxitur zemërimin e Erion Braçes.
Në pamundësi për t’ju kundërvënë Edi Ramës, Erion Braçe, si ai “që s’ka çfarë ti bëjë gomarit, i bie samarit”, ka zgjedhur të zbrazë zemërimin e tij, te Blendi Klosi.
Me “statusin” e anëtarit të kryesisë socialiste, Erjon Braçe, ka sulmuar dje Blendi Klosin, duke ju kundërvënë hapur procesit të organizimit të partisë ku ai aderon.
Në statusin e tij në rrjetin social “Facebook”, duke iu referuar deklaratave të Blendi Klosit, i cili përjashtonte prezencën e debateve në radhët e kësaj partie, lidhur me ndarjen e zonave të mbulimit për anëtarët e kryesisë, Erion Braçe shkruan: “A e dini se sot në PS nuk janë kryer zgjedhjet e drejtuesve të PS-së në 117 njësi vendore, ku është e organizuar partia? Pra në më shumë se 1/3 e tyre. Duke nisur nga kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana! Zgjedhjet në PS janë mbajtur javë të tëra para Kongresit të PS-së!”.
Në këto njësi nuk u mbajtën në periudhën normale e nuk janë mbajtur as dy muaj pas Kongresit duke paralizuar veprimtarinë e PS-së atje.
Po kështu, veç evidentimit të këtij problemi, deputeti socialist shkon më tej duke shigjetuar në mënyrë të drejtpërdrejtë përgjegjësit e një handikapi të tillë në PS.
“E dini kush është përgjegjës për këtë? Sekretari organizativ dhe drejtuesit politikë të PS në kryesi, asamble e degët lokale të PS të ngarkuar për këto zona. Problem në këtë parti nuk është zëvendësueshmëria e pamotivuar, por mungesa e përgjegjësisë ndaj detyrës dhe analiza e përgjegjësisë së gjithsecilit!”, veçohet në statusin e Braçes në “Facebook”.
Madje, deputeti socialist nuk ngurroi të kërkojë dhe zëvendësimin e socialist Klosi në postin e sekretarit organizativ të PS-së.
“Nëse flasim për ‘zëvendësueshmëri’ i pari i zëvendësueshëm duhet të jetë sekretari organizativ! Pastaj me radhë të gjithë ata drejtues politik të çdo niveli që kanë krijuar gropa të tilla në veprimtarinë partiake por edhe elektorale. Gjithnjë në kuptim të përgjegjësisë ndaj detyrës dhe punës!”, shprehej Braçe.