Topalli: Rekomandimet e ODIHR-it janë reforma jonë zgjedhore
.jpg)
“53 rekomandimet e ODIHR-it janë reforma jonë zgjedhore”. Kështu është shprehur Kryetarja e Kuvendit në takimin me ekspertët e OSBE/ODIHR-it, Jessie Pilgrim dhe Richard Lappin, të cilët janë në Shqipëri për t`i dhënë asistencë teknike Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore.
Gjithashtu Kryetarja e Kuvendit vlerësoi përfundimet e Raportit e ODIHR, që i cilësoi zgjedhjet e fundit “kompetitive dhe transparente”.
“Këto zgjedhje ishin më transparentet dhe u zhvilluan me një sistem demokratik zgjedhor të propozuar nga PS-ja e të miratuar me konsensus të plotë nga socialistët e demokratët në Parlament. Po ashtu, opinioni i përbashkët i ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias përbën një dokument ligjor profesional i cili shërben si plan pune në zbatimin e 53 rekomandimeve për zgjedhjet, të cilat janë çështje standardi dhe jo çështje partiake” shtoi Topalli.
Zoti Pilgrim, një njohës i mirë i çështjeve zgjedhore dhe i proceseve elektorale në vendin tonë theksoi se Shqipëria ka një progres shumë evident përsa i përket kuadrit ligjor dhe rritjes së standardeve zgjedhore. “Jemi maksimalisht të gatshëm për të asistuar në reformën zgjedhore në mënyrë që ajo të përfundojë në kohën e duhur” theksuan ekspertët e ODIHR-it ndërsa shprehën bindjen në cilësinë e lartë të ekspertizës shqiptare.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe ekspertët e ODIHR-it u shprehën optimistë për një reformë zgjedhore cilësore, e cila do të jetë materializim i rekomandimeve të OSBE/ ODIHR-it, e do të miratohet brenda afatit të duhur kohor.
Ndërkohë në kuadër të vizitës 3 ditore, grupi i ekspertëve teknikë të zgjedhjeve do të zhvillojnë takime dhe me përfaqësuesit e partive të vogla politike, përfaqësues të shoqërisë civile dhe komunitetit ndërkombëtar.