Hetimi parlamentar për dhunën nis të premten, megjithë barrikadën e Ruçit

Debate në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet, pas përpjekjes së deputetëve të Ramës, për të shtyrë sa të jetë e mundur hetimin për sulmin e armatosur mbi kryeministrinë. Topalli i kujton ministrit të Ramiz Alisë se në kërkesën për heqjen e imunitetit duhet të ishte i pari emri i tij
Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet nisi dje shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë për heqjen e imunitetit për tre deputetët socialistë, Tom Doshi, Taulant Balla dhe Besnik Baraj.
Pas një viti hetimesh organi i akuzës, vetëm dy ditë më parë arriti të konstatojë se këta tre deputetë kanë pasur një rol aktiv në protestën e dhunshme të 21 janarit, teksa kryeprokurorja Ina Rama e konsideroi të nevojshme kryerjen e disa veprimeve hetimore ndaj disa deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, të cilët për shkak të këtij roli aktiv, të incidenteve dhe të dhënave të grumbulluara tashmë, krijojnë dyshimin e arsyeshëm se, me veprimet e kryera gjatë zhvillimit të kësaj proteste, kanë konsumuar veprën penale të “organizimit dhe pjesëmarrjes në grumbullime e manifestime të paligjshme”. Prandaj për Tom Doshin,Taulant Ballën e Besnik Baren iu kërkua Kuvendit të Shqipërisë dhënia e autorizimit për procedim të këtyre deputetëve.
Debati për shqyrtimin e kësaj kërkese të Prokurorisë, u zhvillua dje mes debateve, nga deputetët anëtarë të Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet .
Në fillim të mbledhjes kryetarja e Kuvendit bëri me dije anëtarët e këshillit për kërkesën e organit të akuzës për heqjen e imunitetit të tre deputetëve, ndërsa shtoi se kjo kërkesë vjen një vit pas ngjarjeve të 21 janarit.
“Ka kaluar një vit që nga 21 janari dhe Kuvendi ka qenë në pritje për një kërkesë të prokurorisë për të hetuar planifikimin dhe organizimin e sulmit ndaj Kryeministrisë”, nënvizoi Topalli.
Gjithashtu kryetarja e Kuvendit i ka kërkuar Këshillit që të përcaktojë relatorët dhe nesër të fillojë thirrja e deputetëve për të cilët kërkohet heqja e imunitetit që të japin shpjegimet e tyre në përputhje kjo me rregulloren.
Ndërsa Topalli kërkoi nisjen pa vonesë të procedurave për heqjen e imunitetit, duke filluar nga dita e nesërme, Ruçi deklaroi se afati prej 24 orësh për leximin e dosjeve është i pamjaftueshëm.
Në debatin mes tyre nuk munguan dhe replikat me sfond politik.
Kreu i deputetëve socialistë, Gramoz Ruçi, njëherësh anëtar i Këshillit të Imuniteteve, kërkoi kohë për njohjen me dosjen. Për Topallin ky është një justifikim për zvarritjen e procedurës.
Disa herë Ruçi tentoi të tërhiqte debatin jashtë procedurës së kësaj mbledhjeje, duke vijuar debatin me kryetaren e Këshillit, Jozefina Topalli.
“Në fakt duhet të vinte dhe ndonjë emër tjetër për heqje imuniteti, ti Gramoz”, ju drejtua Topalli Ruçit, duke ju referuar listës me tre deputetët e tjerë ët PS-së.
Në përfundim të debateve, Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve vendosi dje, që më 27 janar të nisë shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit të deputetëve socialistë Tom Doshi, Taulant Balla dhe Besnik Bare, lidhur me rolin e tyre në protestën e 21 janarit.
Këshilli vendosi që seanca e parë dëgjimore të zhvillohet me deputetin Doshi, i cili do të japë shpjegime rreth kërkesës së organit të akuzës.
Sipas rregullores parlamentare (neni 118) kërkesa dhe dokumentet shoqëruese për dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit i paraqiten kryetarit të Kuvendit nga Prokurori i Përgjithshëm.
Kryetari ia dërgon kërkesën dhe dokumentet shoqëruese menjëherë për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet dhe vë në dijeni deputetin. Ky i fundit lajmërohet për kërkesën e bërë dhe dokumentet që e shoqërojnë atë, si dhe i bëhet e ditur koha në të cilën Këshilli për Rregulloren do të fillojë shqyrtimin e kërkesës.
Deputeti ka të drejtë të paraqesë në Këshill, me shkrim ose me gojë, shpjegimet dhe vërejtjet e tij rreth çështjes. Në përfundim të shqyrtimit, Këshilli, brenda 4 javëve, harton një raport për në seancë plenare, në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit. Raporti i Këshillit u shpërndahet deputetëve.
Dy ditë më parë Prokuroria e Përgjithshme dorëzoi në kryesinë e Kuvendit kërkesën për heqjen e imunitetit të tre deputetëve socialistë për të bërë të mundur sqarimin plotësisht të pozicioneve të tyre në lidhje me ngjarjet e 21 janarit.
“Për të sqaruar plotësisht pozicionin e deputetëve Besnik Baraj, Tom Doshi dhe Taulant Balla në raport me ngjarjet e datës 21. 01. 2011, për veprën penale të ‘organizimit dhe pjesëmarrjes në grumbullime dhe manifestime të paligjshme’, lind e domosdoshme kryerja e disa veprimeve hetimore ndaj tyre. Prokuroria e Përgjithshme i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë dhënien e autorizimit për procedim të 3 deputetëve socialistë”, deklaroi dy ditë më parë kryeprokurorja Ina Rama.