E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndarja nga e kaluara

Grid Rroji 

Abraham Linkoln ka thënë se "njeriu duhet të sigurohet se i ka vendosur këmbët në vendin e duhur, dhe pastaj të qëndrojë i palëkundur në pozicionin e tij". Në këtë këndvështrim, pozicionimi i maxhorancës ...kundër atyre që mundësuan, lehtësuan dhe kryen krimet e komunizmit në Shqipëri, është një vendim sa parimor aq edhe i drejtë. Nga ana tjetër, për shkak se ish-funksionarët komunistë janë një pjesë e elektoratit të saj, opozita ka dalë kundër ligjit. Qëndrimi kundërshtues i opozitës së sotme ndaj ligjit të lustracionit, tregon se ajo jo vetëm që nuk është ndarë shpirtërisht nga e kaluara e saj kriminale, por ende tenton në emër të të drejtave të njeriut të përfitojë politikisht nga gjaku, vuajtjet dhe mundimet e paprecedentë të viktimave të komunizmit.  Si pasardhës i një familjeje të përndjekur, por edhe si i ri i angazhuar në jetën publike të vendit, më vjen turp që një pjesë e shoqërisë shqiptare ende nuk ndjen detyrim moral për t'u përballur me të kaluarën kriminale komuniste. Dekorimi i xhelatëve, fshehja e fajtorëve pas perdeve kushtetuese dhe kundërshtimi i parimit të pastërtisë së atyre që drejtojnë shtetin sot, është tregues i dhimbshëm se janë ende shumë ata që nuk arrijnë të shkëpusin lidhjet me sëmundjen e rëndë që ligështoi shqiptarët në shekullin XX.
Nuk është rastësore që disa nga figurat e mbetura të regjimit të djeshëm struken sot në kolltukët e rehatshëm të drejtësisë shqiptare. Ata që dënuan, torturuan dhe gjakosën dje në emër të ligjit intelektualët shqiptarë për fajin se nuk e duronin dot komunizmin, e dinë se mburoja e fundit që ju ka mbetur sot janë organet e drejtësisë, të cilat mund t'jua ruajnë privilegjet e fituara me gjakun e një populli. Por një popull i civilizuar nuk mund të bashkëjetojë me fajtorët, nuk mund të tolerojë padrejtësinë, nuk mund të shkelë të drejtat e atyre, të cilët u flijuan për t'i garantuar ato. Për hir të paqtimit kombëtar, ne mund të falim, por nuk mund të harrojmë. Çuditërisht, përpjekjeve të opozitës për të fituar pikë politike duke manipuluar mediat dhe opinionin publik, u janë bashkuar edhe përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë, të cilët kanë shprehur shqetësimin e drejtë në parim se po kufizohet e drejta për t'u zgjedhur nga populli dhe se ligji nuk është brenda kornizave kushtetuese.
Unë kam patur fatin të jem formuar në vendin më të lirë dhe më demokratik në botë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Asnjë popull tjetër nuk e do më shumë lirinë e individit se sa amerikanët. Në fakt, Kushtetuta amerikane të cilën shumë studiues nuk ngurrojnë ta cilësojnë si Kushtetuta më e arrirë e të gjitha kohërave, nuk u pranua nga një numër kolonish derisa asaj iu bashkëngjitën amendamentet e të drejtave të njeriut (Bill of Rights).
E megjithatë, SHBA ka patur në historinë e saj periudha kur qeverisë i është dashur të kufizojë të drejta themelore të njeriut në favor të interesit kombëtar. Ligjet e sedicionit, aktet e prohibicionit të alkoolit, internimi i shtetasve me prejardhje japoneze gjatë Luftës II Botërore dhe më së fundi ligji PATRIOT kundër terrorizmit kufizuan përkohësisht disa të drejta të caktuara për arsye të sigurisë kombëtare apo luftës kundër krimit të organizuar. Sidoqë të gjykohen sot këto ligje, në kohën kur u ndërmorën u kaluan me shumicë dërrmuese nga legjislativi, u gjykuan të domosdoshëm për të mbrojtur liritë e tjera të amerikanëve si dhe u pranuan gjerësisht nga shumica e qytetarëve.
Ligji i Pastërtisë së Figurave i votuar nga maxhoranca jo vetëm që nuk shkon aq larg në kufizime, duke kërkuar gjykimin penal të atyre që shpërndanë terror në vend të drejtësisë, por u lejon ish-bashkëpunëtorëve të vazhdojnë të marrin pensione apo shpërblime të tjera të akumuluara gjatë viteve në të cilat kryen, lejuan apo lehtësuan krimet. U lejon atyre të vazhdojnë të qetë karrierën, duke i përjashtuar vetëm nga funksionet shtetërore. Me fjalë të tjera ish-xhelatët nuk do të munden më të kenë besimin e shqiptarëve për të menaxhuar shtetin, besim të cilin e shpërdoruan dhunshëm jo shumë kohë më parë për të shkelur lirinë e popullit të tyre.    Është tashmë e dukshme se drejtuesit e opozitës së sotme, paçka se vetëdeklarohen si përfaqësues të së resë, jo vetëm që nuk e kanë ndjeshmërinë e duhur për t'u kërkuar falje shqiptarëve për krimet e paraardhësve të tyre, por vazhdojnë të kacavirren në pasqyra për të mbrojtur skoriet e të keqes së djeshme. Opozita nuk e ka guximin për të shpresuar tek e ardhmja e pastruar e shqiptarëve, por mbron për arsye banale politike shtresën që i realizoi këto krime të përbindshme kundër njerëzimit. Opozita nuk ka kurajon morale t'i bashkohet maxhorancës në thirrjen e saj: Kurrë më!
Ligji i Pastërtisë së Figurave ishte vetëm një hap i parë drejt kësaj rruge çliruese për të gjithë ata që duan të ndjehen të pastër. Hapa të tjerë janë ndërmarrë nga qeveria për të përkujtuar integritetin moral të atyre shqiptarëve që qëndruan dhe si pasojë vuajtën krimet komuniste. Por pa ndërgjegjësimin e të gjithë shoqërisë për krimet e kryera në të kaluarën e afërt, pa vullnetin politik të opozitës për t'u ndarë njëherë e përgjithmonë nga tmerret komuniste, nuk mund të jemi gati për të ardhmen europiane. Popujt që harrojnë janë të destinuar të përsërisin gabimet e tyre dhe nuk ka ligj që e parandalon këtë.
Cilido qoftë argumenti kushtetues kundër ligjit, nuk mund të anashkalojë nevojën e ngutshme të shumicës së shqiptarëve për t'u ndjerë të pastruar nga kjo e kaluar e zymtë.
Linkolni thoshte: "Nuk janë vitet e jetës që kanë rëndësi. Është si i jeton ato vite". Ndoshta opozita shqiptare duhet të marrë shembull nga ky kolos i mendimit amerikan e të ndahet nga e kaluara dhe jo të mbrojë kriminelët nga ndëshkimi moral i një shoqërie të lirë për arsye meskine politike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›