Maks Haxhia pa konkurrentë në krye të Dhomës Kombëtare të Avokatëve
TIRANE - Avokati Maksim Haxhia do të drejtojë edhe për katër vite të tjera Dhomën Kombëtare të Avokatëve Shqiptarë. Gjatë zgjedhjeve që u bënë dje në këtë institucion, Haxhia fitoi mandatin 4-vjeçar me votat e 72 kolegëve të tij, ndërsa pati vetëm tri vota abstenim. Po kështu, pas votimit të djeshëm avokati Virgjil Karaj u konfirmua sërish sekretar i përgjithshëm i DHKA-së, i cili arriti të siguronte shumicën e votave përballë dy konkurrentëve të tij, Ferdinand Doja dhe Artan Gjylbegu. Ndërsa kandidati tjetër për këtë post, avokati Hysni Beti, pohoi në fillim të votimit se tërhiqej me vullnet nga gara, duke mos dhënë shpjegime të detajuara për arsyet e tërheqjes. Në mbledhjen e djeshme të përfaqësuesve nga Dhomat e Avokatisë nëpër rrethe, avokati kryeqytetas Maksim Haxhia prezantoi platformën e vet për drejtimin e DHKA-së, duke pohuar se deri tani e kishte drejtuar këtë institucion me sukses. Duke iu drejtuar kolegëve, Haxhia tha se veç projekteve të realizuara nga DHKA deri më tani, janë dhjetëra të tillë në proces dhe mjaft të tjerë që presin të nisin. Sipas Haxhisë, konfirmimi i tij në krye të avokatisë shqiptare do të ishte veprimi më i mirë për të vazhduar këto projekte. Haxhia konkurroi i vetëm për këtë post, pasi nuk pati asnjë koleg kundërshtar që të kishte vendosur kandidaturën. Tashmë ai do të jetë sërish në krye të këtij institucioni deri në janar të vitit 2013. Votimet e djeshme u drejtuan nga një komision i zgjedhur nga avokatët e pranishëm në mbledhje, të cilët përcaktuan mënyrën e votimit dhe më pas, në përfundim të procesit, numëruan votat e 75 kolegëve. Vetëm tre prej avokatëve të pranishëm abstenuan me votën e tyre, ndërsa kundër kryetarit Haxhia nuk u gjet në kuti asnjë votë. Votimet e zhvilluara dje i dhanë fund zgjedhjeve në DHKA, ndërsa në mesin e muajit dhjetor të vitit të kaluar zgjedhjet përfunduan në Dhomat e Avokatisë nëpër rrethe, ku në Tiranë u zgjodh avokati i njohur Fatmir Braka. Edhe ky prej disa vitesh drejton avokatët kryeqytetas, duke pasur në këtë mënyrë një konfirmim të mandatit të mëparshëm. Gjatë zgjedhjeve të zhvilluara dje, mes delegatëve të Dhomave të Avokatisë të rretheve të ndryshme ndodheshin edhe ish-kryeprokurori Theodhori Sollaku dhe ish-kreu i Gjykatës së Tiranës, Sokol Çomo, si përfaqësues të avokatëve kryeqytetas. fa.ma.