E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapen "krushqit" me 19 klandestinë

 

KORÇE/ JORGJETA GJANÇI

Zbulohet rrjeti i trafikut të klandestinëve drejt tokës helene. Policia e Korçës arrestoi tre trafikantët, të cilët u kapën në flagrancë teksa po transportonin drejt Kolonjës 19 klandestinë. Mësohet se 6 prej tyre ishin fëmijë nën moshën 10 vjeç, tetë ishin gra dhe pjesa tjetër burra. Burime zyrtare të policisë bënë të ditur se nën akuzën e "ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit" u arrestuan rreth orës 01:00 babë e bir, Tomor dhe Haxhi Malo, përkatësisht 56 dhe 23 vjeç. Gjithashtu blutë arrestuan edhe trafikantin e tretë, Altin Lifo, 26 vjeç, i cili kishte lidhje krushqie me Haxhi Malon. Të tre trafikantët nga Erseka u ndaluan rreth orës 20:30 të së premtes nga seksioni i luftës kundër trafiqeve, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit në Korçë. Ata kishin marrë informacion rreth këtij trafiku, ndaj organizuan operacionin e koduar "Krushqit" për arrestimin e trafikantëve, dhe parandalimin e kalimit të kufirit për klandestinët. Policia bëri të ditur edhe detajet e këtij trafiku. Sipas burimeve, Tomorr Malo, i cili njihej në zonë si drejtues i një furgoni taksi, do të transportonte klandestinët nga Korça drejt rrethit të Kolonjës. Ai kishte marrë në furgonin që kishte kapacitet vetëm 8 persona, plot 22 vetë. Burime të policisë bënë të ditur se përveç dy shoqëruesve të tij, të birit dhe kunatit të këtij të fundit, në furgon ndodheshin tetë gra, pesë burra si dhe 6 të mitur. Furgoni kaloi Qafën e Qarrit, ku zakonisht ka kontrolle policie, por u ndalua nga një postbllok kur iu afrua fshatit Mollas. Uniformat blu kërkuan të kontrollonin pasagjerët e furgonit taksi me targë ER 005 A, që drejtohej nga 56-vjeçari. Fillimisht blutë i kanë ndaluar ata duke iu komunikuar faktin se në furgon kishte persona më shumë se kapaciteti i lejuar. Ata u shoqëruan në Komisariatin e Kolonjës, ku më pas do të kryheshin verifikimet përkatëse për secilin prej tyre, gjeneralitetet, vendbanimin, destinacionin, e të dhëna të tjera. Nga hetimet paraprake u mësua se pasagjerët ishin banorë të rretheve Lushnjë dhe Berat. Ata kishin qëllim që të hynin ilegalisht në tokën greke. Drejtuesi i furgonit dhe dy djemtë e rinj u kishin premtuar se kundrejt pagesës prej 1500 - 2500 euro për person, do t'i kalonin në tokën greke përmes një shtegu malor në afërsi të Leskovikut dhe më tej nëpërmjet malit të Gramozit. Matanë kufirit do t'i prisnin shoqërues të tjerë, të cilët do t'i ndihmonin të futeshin në thellësi të tokës helene, pa u diktuar nga ushtarët grekë që kontrollojnë vijën dhe brezin kufitar. Klandestinët i pohuan grupit të hetimit se ata ishin "peshkuar" nga Altin Lifo, i cili kishte kryer edhe pazaret për kalimin e kufirit. Bashkë me Haxhi Malon, i cili punonte fatorino në furgonin e të atit, kishin vendosur lidhjet me pjesën tjetër të trafikut në tokën greke. Rreth orës 20:00, ata morën klandestinët që ishin mbledhur më parë në Korçë dhe u nisën drejt Kolonjës. Por 30 minuta më pas u ndaluan nga policia, e cila pasi i mori në pyetje për disa orë, vendosi të firmosë arrestin rreth orës 01:00 për tre trafikantët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›