Prençi: Londra u dha azil 100 kriminelëve shqiptarë
Kriminelët shqiptarë kanë gjetur strehë të mirë në Britaninë e Madhe. Shifrën prej rreth 100 personash e bën publike gazeta prestigjioze angleze "Daily Telegraph", e cila i referohet një deklarate që drejtori i Përgjithshëm i Policisë shqiptare, Ahmet Prençi ka bërë dy ditë më parë, ku ankohet se gjykatat britanike po pengojnë përpjekjet e autoriteteve shqiptare për të ekstraduar në Shqipëri kriminelët. Shumë nga këta kriminelë shfrytëzojnë sistemin e azilit për të fituar edhe shtetësi britanike, ndërkohë që kanë hyrë ilegalisht në këtë shtet. "Ne kemi një listë shqiptarësh që fshihen në Britaninë e Madhe. Janë 100 kriminelë, më shumë se 80% e tyre kërkohen për vrasje dhe janë dënuar në mungesë", citohet të ketë thënë Prençi për "Daily Telegraph", i cili vazhdon: "Atyre madje iu është garantuar shtetësi britanike, pavarësisht kërkesave të autoriteteve shqiptare për ekstradimin e tyre për të vuajtur dënimin në Shqipëri". Sipas gazetës "Home Office", Ministria e Brendshme britanike është vënë në dijeni për identitetin dhe të dhënat e këtyre personave. Shumë prej tyre janë regjistruar si refugjatë gjatë luftës në Kosovë, por problemet që kanë pasur gjykatat britanike për të gjetur përkthyes e psikologë, kanë vonuar procedurat ligjore për këta persona. "Ne jemi të pakënaqur që gjykatat angleze vazhdimisht refuzojnë ekstradimin e këtyre kriminelëve. Nuk ka asnjë arsye që një qytetar shqiptar, i cili ka kryer një krim nuk duhet të ndëshkohet", citohet të ketë pohuar Prençi. Gazeta britanike vazhdon më tej se grupe të aktivistëve e shpjegojnë këtë me sistemin e dështuar britanik të azilit. Ndërsa Sir Andrew Green i organizatës "Migration Watch" thotë se është shqetësuese kur kriminelët përfitojnë kaq lehtë azil në Britani. Po kështu, zëdhënësi i "Home Office" thotë: "Vetëm një fraksion i listës së atyre kriminelëve që Shqipëria mendon se ndodhen në Britani, realisht jetojnë këtu. Këta persona janë në listën e vëzhgimit dhe në kompjuterët e policisë. Madje, shumë prej tyre janë në procese gjyqësore të ekstradimit". Pas kësaj edhe qeveria britanike ka theksuar se ajo që ka ndodhur dhjetë vite më parë nuk mund të ndodhë më, pasi tani janë forcuar rregullat për të mos lejuar hyrje ilegale në Britani. "Çdo vizë që jepet tani ka shenjat e gishtërinjve të aplikantit. Ne nuk do të tolerojmë të abuzohet me sistemin e emigracionit. Nëse dikush ka marrë shtetësinë 10 vjet më parë, duke u paraqitur si qytetar i një shteti tjetër, ligji na lejon t'ia heqim shtetësinë, dhe ne do ta bëjmë", përfundon zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme britanike. f.m.
Ilir Kumbaro
Ilir Kumbaro, ish-funksionari i SHK-së para vitit 1997, i akuzuar në Tiranë në procesin për zhdukjen e biznesmenit kosovar Remzi Hoxha, është një nga shqiptarët që ka fituar azil politik në Londër. Tashmë ky, pas arrestimit me qëllim ekstradimin në Tiranë ndodhet në proces në Gjykatën e Shkallës së Parë në kryeqytetin britanik. Në procesin që po zhvillohet prej një viti në Tiranë mbi Kumbaron, rëndon akuza e "rrëmbimit të personit me pasoja të rënda", e konsumuar në tre raste dhe në bashkëpunim. Nëse shpallet fajtor, ai rrezikon të dënohet përjetë. Sipas burimeve nga procesi që po zhvillohet prej nëntorit të vitit të kaluar, Kumbaro ka fituar azilin rreth 10 vjet më parë, duke u hequr si qytetar çek i persekutuar në vendin e tij. Po kështu, i dyshuari si Kumbaro ka mohuar në seancat gjyqësore identitetin shqiptar dhe duke pretenduar atë çek. Ky proces ndodhet drejt fundit, ndërsa pritet në javët në vazhdim gjykata të dalë me një vendim për dërgimin ose jo të Kumbaros me pranga në Tiranë.