E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërpi i Shkrelit,Prokuroria e Shkodrës ua rikthen fermerëve

 

TIRANE - Kërpi i Shkrelit, Prokuroria u drejtohet fermerëve ta marrin sërish pas sekuestrimit nga policia në vjeshtë të vitit të kaluar. Me anë të një shkrese të firmosur në dhjetor të vitit të kaluar, kryeprokurori i Shkodrës iu ka komunikuar në mënyrë individuale banorëve të Shkrelit pushimin e çështjes penale ndaj tyre për kultivim lëndësh narkotike, ndërsa atyre tashmë u duhet të paraqiten për të tërhequr edhe kërpin sekuestruar nga policia. Analizat e bëra në një laborator italian për kërpin e sekuestruar në Shkodër nxorën se mostrat e ekspertuara përmbanin një sasi shumë herë më të vogël se kufiri i lejuar THC, duke i klasifikuar bimët vetëm për përdorim industrial dhe jo narkotik. Kjo bëri që të lirohej kreu i shoqatës Martin Pëllumbi, i cili u prangos për të disatën herë prej policisë së Malësisë së Madhe. Problemet e fermerëve të Shkrelit me policinë kanë nisur që në vitin 2001, kur për herë të parë uniformat blu iu sekuestruan një sasi të konsiderueshme kërpi industrial, duke pretenduar se ishte kanabis sativa. Analizat kimike në laboratorët e policisë shkencore nxorën se lënda e kapur banorëve mund të përdorej vetëm për qëllime industriale. Pas kësaj u liruan nga qelia të gjithë poseduesit e sasisë së kërpit, të cilët veç dëmshpërblimit për burgim të padrejtë fituan me vendim të formës së prerë të gjykatës të drejtën për t'u dëmshpërblyer për lëndën e sekuestruar dhe fitimin e munguar për të. Por edhe më pas disa herë policia e keqinformuar nga agjentët e antidrogës ka vepruar në mënyrë të dhunshme, duke prangosur fermerët dhe sekuestruar sasi të konsiderueshme kërpi. Banorët e Shkrelit prej rreth 10 vitesh merren me aktivitetin e kultivimit të kësaj bime, sipas një kontrate të lidhur me një fondacion anglez, i cili merr përsipër blerjen e prodhimit apo produkteve të përpunimit të kërpit. Vetëm pas kësaj shoqata e fermerëve të Shkrelit, e drejtuar nga Martin Pëllumbi, lidh kontrata individuale me secilin fermer, duke marrë në këtë mënyrë përgjegjësinë për farën e sjellë nga Anglia, si dhe duke hequr çfarëdolloj përgjegjësie për bimë të tjera që gjenden në parcelat e banorëve. Ndërkohë, për shkak të problemeve të herëpashershme me sektorin e antidrogës së policisë, në kontratë midis shoqatës dhe fermerëve të Shkrelit, parashikohet se mostra të farës ruhen edhe për t'ia vënë në dispozicion policisë, apo për t'u analizuar në laboratorë të policisë shkencore.                                                         fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›