E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndarja, prelud fatkeqësish

E kam vizituar shpesh Mitrovicën e Veriut. Hera e fundit ishte muaji shkurt. E, ndërsa Kosova gëlontë nga hareja dhe krenaria tejet legjitime, Mitrovica Veriore ishte e zhytur në heshtje të frikshme; e, ndërsa në jug valëviteshin flamuj kombëtarë dhe foto të simbolit të rezistencës, komandantit Adem Jashari, ku spikaste nënshkrimi "Bacë u kry", në Veri asgjë nuk pipëtinte. Kontrasti mes dy pjesëve të këtij qyteti, të njohur si "Mostari modern", ishte mbresëlënës. Vetëm teorikisht ndodheshe në territorin e Kosovës. Asnjë fjalë shqip në shenjat orientuese; tabelat nëpër dyqane ishin në serbisht, madje në alfabetin cirilik, ashtu si dhe targat e makinave dhe gjithçka tjetër. Politikanë dhe banorë të thjeshtë me bindje të konsoliduar; aspak spontane e inatçore shpreheshin prerë: Kjo është dhe do të mbetet Serbi.

Pavarësia e Kosovës dhe krijimi i shtetit të ri është realitet, i njohur nga mbi 50 shtete, afro gjysma e të cilëve janë anëtare të BE-së, por edhe nga të gjitha vendet anëtare të G8-s. Shtrirjen e EULEX-it e kam pritur si një moment tejet të rëndësishëm, sa përcaktues, aq edhe sfidues, pikërisht për shkak të asaj që pashë në veri të Mitrovicës. Këtë mision të BE-së, unikal në formë, përmbajtje e investim marramendës financiar, e vlerësoj jo si konfirmim të pavarësisë, por pjesë të angazhimit të Brukselit për ta shtrirë edhe de facto autoritetin e Prishtinës në këtë zonë; dhe së dyti për ta futur vendin në rrjedhën më ritmike të përafrimit me BE-në, së cilës i përket. Kjo është sfida.

Këtu qëndron edhe thelbi i filozofisë serbe. Mitrovicën e Veriut, si të vetmen pjesë të Kosovës që kontrollon, Beogradi po e përdor si "levën e Arkimedit", për ta destabilizuar atë. Serbia është e ndërgjegjshme se shtrirja e EULEX-it në veri do ta kompaktësonte autoritetin e Prishtinës në të gjithë territorin. Më tej, ajo nuk do të kishte punë vetëm me republikën fqinje, por dhe me vetë Brukselin. Diplomacia serbe, sa agresive, aq edhe efikase, arriti të gjejë mbështetje tek Kombet e Bashkuara, e materializuara kjo tek plani 6 pikësh i Sekretarit të Përgjithshëm. Suksesi i saj është krejt i papranueshëm për Kosovën, pasi thënë fare thjeshtë, ai dhunon hapur sovranitetin.

Për Prishtinën EULEX-i është jetik, por jo më kushtet e Serbisë. Ajo nuk mund të pranojë të qëndrojë asnjanëse dhe të shohë sesi kufizohet sovraniteti i saj territorial; ajo nuk mund të pranojë asesi që Beogradi të jetë bashkëqeverisës. EULEX-i duhet të vendoset; tani bëhet fjalë për modalitetet. Konstruktivitetin, autoritetet kosovare e manifestuan duke ofruar 4 pika, si dhe vullnetin për negociata. Ekipi drejtues kosovar priti të dërguarit e Uashingtonit; më tej ai vizitoi Londrën dhe Brukselin. Shefi Evropian i Politikës së Jashtme, Havier Solana, u takua me Sekretarin e Përgjithshëm, Ban Ki Mun, por nuk u dhanë detaje. Beteja e tyre diplomatike, me nerv dhe kthjelltësi, për sigurimin e mbështetjes lidhur me modalitetet e shtrirjes së EULEX-it, po vazhdon...

Unë besoj se fjalia e nënvizuar, në këtë realitet të ri, nga të gjithë emisarët e huaj se: "Askush nuk mund ta nëpërkëmbë vendimmarrjen e autoriteteve legjitime të shtetit të ri legjitim", ofron shpresë për konsensualitet, ndonëse Beogradi dhe Prishtina ndajnë qëndrime diametralisht të kundërta. Pavarësia dhe njohja ndërkombëtare konfirmoi faktin se kosovarët e fituan luftën, tashmë duhet të fitojnë betejën e radhës: Shtrirjen e autoritetit në të gjithë Kosovën. Më pas, në bashkëpunim koheziv me Bashkimin Evropian, duhet të garantojë respektimin maksimal të të gjitha të drejtave të komunitetit skeptik serb. Ndarja nuk është opsion, por prelud fatkeqësish. Në Ballkan, "Kutia e Pandorës" duhet të mbahet përgjithnjë e mbyllur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›