Tre "Qytetarë nderi" para pavarësisë
ELBASAN- Këshilli Bashkiak ka miratuar tre tituj nderi për tre emra të atdhetarëve dhe patriotëve që kanë kontribuar për Pavarësinë. Qemal Karaosmani, Dervish Biçakçiu dhe Thanas Floqi kanë qenë tre emrat e propozuar nga prefekti Shefqet Deliallisi për titullin më të lartë të dhënë nga Këshilli Bashkiak “Qytetar nderi”. Qemal Karaosmani pjesëmarrës në Kongresin e Manastriti, organizator i Kongresit të Elbasanit, delegat i Elbasanit dhe një ndër firmëtarët e aktit të Pavarësisë ka shënuar emrin e tij në listën e artë të patriotëve shqiptarë të kohës së pavarësisë. Ai ishte kryesekretar i qeverisë së Ismail Qemalit, më pas ministër i Bujqësisë në këtë qeveri. Aktiviteti i tij vazhdoi por do të shënohet periudha kur ishte kryetar i bashkisë në vitin 1939. Një tjetër figurë e rëndësishme e lidhur me pavarësinë ishte edhe Dervish Biçakçiu. Të gjithë kujtojnë momentin kur Ismail Qemali gjatë rrugëtimit ndalet në një çiflig në Çermë të Lushnjes ku jo vetëm mori mbrojtje por edhe mori mikpritjen dhe shërbimin e beut të këtij çifligu Dervish Bej Biçaku. Organizator i Kongresit të Elbasanit dhe kryetar i këtij Kongresi, një ndër financuesit e shkollës Normale të Elbasanit, delegat i Peqinit në Kuvendin e Vlorës, pjesëmarrës në qeverinë e Ismail Qemalit në riorganizmin e Ministrisë së Financave, deputet i Elbasanit. Ai ishte një ndër antarët kryesorë të Komitetit Kombëtar më 1943. Largohet nga Shqipëria pas vendosjes së komunizmit dhe vdes në Liban. Emri i tretë i propozuar për qytetar nderi është Thanas Floqi që ndryshe nga dy të tjerët ka lindur në Korçë por ka jetuar për një kohë të gjatë në Elbasan ku ndërroi jetë. Pas një aktiviteti të gjërë patriotik jasht vendit në SHBA ai rikthehet në 1908 për të marrë pjesë në përgatitjen e bocetit të flamurit kombëtar. Me shpalljen e pavarësisë u vu në shërbim të administratës së re si jurist dhe shërbeu si përkthyes pranë Komisionit Ndërkombëtar. Në Elbasan i lidhur me një nga familjet me kontribut atdhetar Dodbiba, Thanas Floqi, vendoset përkrah Aqif Pashës. Më vitin 1920 punon mësues në Shkollën e Vajzave dhe më 1920 në shkollën Normale. Ai iu kushtua muzikës e teatrit por edhe profesionit të juristit. Njihte mirë 6 gjuhë dhe la shumë dorëshkrime mbi ligjet. Tre patriotët e shpallur qytetarë nderi kanë lidhje të ngushtë me Pavarësinë dhe marrin këtë titull. Të gjithë këshilltarët kanë qenë të një mendjeje duke miratuar titullin më të lartë që jep bashkia. Një prej këshilltarëve, Eduard Gjini, ka propozuar që për të gjithë elbasanasit që kontribuan për pavarësinë të ndërtohet një përkujtimore për të sjellë në kujtesë veprën e tyre afro një shekull më parë.