Pjesa e luanit
Ajo që i propozohet Kosovës, nuk ka nevojë për koment; po të përsëris vetveten, liria në Kosovë del në ilegalitet dhe Prishtina vihet edhe ligjërisht nën urdhrat e plota të guerriljeve të serbëve të Mitrovicës. Për t'u shënuar është sesi një strategji kaq e vrazhdë neokolonialiste serbe e përpunuar nga Beogradi, e qasur si alternativë gjatë periudhës së gjatë të negociatave, e refuzuar kategorikisht nga pala kosovare dhe nga përfaqësuesit ndërkombëtare, kërkon të ngulitet tani si alternativë e vetme, si punë e kryer. Pjesën e luanit në këtë projekt për copëtimin përfundimtar të Kosovës e kanë ndërkombëtarët.
Gjatë periudhës pas shpalljes së pavarësisë, deri në etapën e 6 pikëshit anulues, jo vetëm që nuk është çuar përpara sa duhej e sa pritej procesi i njohjes së Kosovës si shtet, por janë hedhur hapa mbrapa: Partneritet me Beogradin në lidhje me Kosovën pa praninë e saj edhe disa nga ato fuqi evropiane që e kanë njohur si shtet të ri dhe të pavarur; ndryshe nuk ka si të shpjegohet luajaliteti i Brukselit zyrtar me OKB-në dhe samarxhiçët ndaj pikave të Samarxhiçit.
Organet më të larta drejtuese në Kosovë mund të qortohen për pasivitet, limonti burokratike, ndarje hermetike dhe injorimi i zërave të fuqishëm të shoqërisë civile në Kosovë, sikurse është edhe Lëvizja për Vetëvendosje, njëra prej tyre; shpërfillja e mendimit dhe e paralajmërimeve të bëra nga intelektualë të njohur të të gjitha trevave shqiptare lidhur me situatat e mbarsura ditore dhe të ardhmen e lëkundur. Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës janë kapur mat befasisht nga ofensiva e mirorganizuar serbe, ose, në të kundërt u ka munguar transparenca, aftësia parashikuese dhe projekti për kundërveprim. Shenja dëshpëruese ka pasur me bollëk, por nuk kemi dashur të dalim nga utopia. Kur kam parë në televizion kronikën se qeveria e Kosovës ndërmori pa sukses një aksion për hapjen e një kanali për ujësjellës për shqiptarët, i cili kalonte nëpër një komunë me banorë serbë, më është bërë e qartë perspektiva e zymtë. Nga gabimet e panevojshme të palës shqiptare në Kosovë, do të shtoja përpjekjen me pasoja fatale për t'iu larguar identitetit dhe simboleve bashkuese kombëtare. Për shembull: Me vendim qeverie është hequr data 28 nëntor si festë zyrtare; nga individë e qarqe me ndikim iu është mëshuar shenjave krahinore gjuhësore e historike, jo si pasurim i identitetit të përbashkët shqiptar, por si kundërvënie përjashtuese. E për më keq akoma: Vizioni i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shqipërisë, sipas ritualëve tradicionalë të fqinjësisë së mirë (?!?), sa për shkëmbime në bujqësi e energjitikë dhe turizëm veror, ishte dhe është minimalist dhe i pajustifikueshëm.
Pavarësisht rikonfigurimeve në arenën ndërkombëtare dhe dobësive tona të brendshme, përsëri besoj se çështja e shqiptarëve është edhe në duart e shqiptarëve, për aq sa do të reagojmë të tërë ne.