Është vetëm fillimi
Shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës, megjithë përkrahjen e Perëndimit, nuk ishte fundi, por fillimi. Fillimi i përpjekjeve për njohjen e një shteti të ri dhe për ndërtimin e tij. Kosova njihet sot nga shtete të fuqishme perëndimore, por nga më pak se 1/3 e shteteve të botës. Nuk është anëtare e OKB-së, as ndonjë organizate tjetër ndërkombëtare. Njëkohësisht, pavarësia, qoftë edhe e kushtëzuar, i vë shqiptarët e Kosovës në një pozitë të paprecedentë: Deri tani ishin në pozitat e 'pakicës', duke denoncuar dhunën dhe arbitraritetin e pushtetit. Që këtej e tutje janë ata pushteti që duhet të përballet me kërkesat dhe 'arbitraritetin e pakicës'...
Çfarë duan ndërkombëtarët për Kosovën? Paqe dhe zhvillim ekonomik. Se si do të arrijnë atje, nuk kanë ndonjë plan të qartë. Vetë palët e interesuara, shqiptarët dhe serbët, i presin të gjitha prej ndërkombëtarëve dhe nuk komunikojnë mes tyre. Ndërkohë, serbët e Bosnjes kërcënojnë të mëvetësohen, FYROM-i vazhdon konfliktin me Greqinë për emrin, ndërsa Gruevski ka ndezur full motorët e nacionalizmit. Ndërkombëtarët kanë filluar të humbasin durimin para 'lëmshit' të Ballkanit Perëndimor. Ban Ki Mun me gjashtë pikat e tij nuk kërkon të 'mbajë me hatër' Serbët. Kërkon t'i gjejë një zgjidhje të përkohshme 'lëmshit'. Dhe të 'tërheqë' Serbinë në një zgjidhje të tillë, nëpërmjet një kompromisi provizor, që duket se i pëlqen qeverisë Serbe…
BE-ja nuk ka ende një politikë të jashtme unike. Dëshira e tij për Ballkanin Perëndimor është paqe dhe zhvillim ekonomik. Gjithkush e di se shanset për paqe dhe begati në Ballkanin Perëndimor do të rriteshin mjaft, në se vendet që e përbëjnë bëheshin anëtare të BE-së. Por, BE-ja, pas zgjerimit të nxituar dhe me krizën ekonomike në horizont, nuk guxon ta mendojë diçka të tillë. Megjithatë, me EULEX-in, sido që të jetë, Kosova do t'i afrohet BE-së. Paradoksi është që me EULEX-in, edhe Serbia do t'i afrohet BE-së. Dhe, kjo, falë Kosovës. EULEX-i do të ishte një shans për të dyja palët të bisedonin me njëra-tjetrën. Por, duket se asnjëra palë nuk është e predispozuar të marrë iniciativën për diçka të tillë...
Çfarë do Serbia nga Kosova? Nuk ka një Serbi të vetme. Serbia është për vete në udhëkryq. Ekziston Serbia e trashëgimtarëve të Milosheviçit që mban kontakte të ngushta me struktura para-shtetërore të Serbëve në Mitrovicë. Ekziston Serbia pragmatiste e Tadiçit, që e konsideron tashmë çështje të humbur Kosovën dhe e përdor si kartë negocimi me Perëndimin. Kjo Serbi pragmatiste kërkon të mbyllet kapitulli i Kosovës, qoftë me një 'ndarje funksionale', duke marrë më pak se 1/3 e territorit të Kosovës, pjesën më të zhvilluar të saj njëkohësisht, për të përkëdhelur 'ndjenjat patriotike', me argumentin, 'nuk e humbëm të gjithën'. Serbia e sotme e ka lënë pas fjalorin e izolimit dhe përdor gjuhën e diplomacisë. Me anë të diplomacisë përpiqet të bindë bashkësinë ndërkombëtare, në thelb Perëndimin, se ka mbajtur me hatër shqiptarët. Njëkohësisht, përpiqet të bëjë sa më të vështirë ekzistencën e një shteti normal kosovar. Fakti që, duke vepruar kështu, qeveria serbe bën kurban dhjetëra mijëra Serbë të Kosovës, duket se nuk mallëngjen askënd në Beograd...
Kosovarëve u mbetet rruga e mundimshme e diplomacisë. Dhe të pajtohen me faktin që, për shumë kohë, ata do jenë një shtet sui generis në Evropë. Mendime për reagime force, do të ishin vetëvrasje. Bashkësia ndërkombëtare pret prej Prishtinës ndërtimin e një shteti normal që ka vend edhe për serbët e Kosovës. Madje, një vend të privilegjuar për ta. "Atë që shoh unë, janë fjalë të bukura për bashkëjetesën dhe konstatimi se serbët përdoren nga Beogradi dhe mohojnë integrimin", - më thoshte para disa muajsh një diplomat perëndimor në Prishtinë ,- "por kur bisedon me serbët që kanë mbetur në Kosovë, sheh se ata janë shumë të frikësuar. Askush prej politikanëve në Prishtinë nuk vjen të flasë me ta". Për mos të përmendur pastaj korrupsionin dhe patologjitë e tjera të pushtetit në Prishtinë, apo terrorizimin e kosovarëve që guxojnë të dëshmojnë në Hagë. Të gjitha këto e kanë shtuar skepticizmin e perëndimorëve ndaj Prishtinës. Nga ana tjetër, është e vështirë të ketë shtet normal në Kosovë pa një kompromis historik mes shqiptarëve dhe serbëve. Por, kompromiset historike janë procese të gjata dhe kërkojnë politikanë të guximshëm. Të tillë duket se nuk ka as në Tiranë, as në Prishtinë, as në Beograd. Edhe sikur të gjendet një zgjidhje e përkohshme për EULEX-in që të kënaqë Prishtinën, anomalia do të vazhdojë…
Mitrovica është shembulli më tragjik i kësaj anomalie: Një qytet i ndarë, ku i vetmi institucion ku shiptarët dhe serbët bashkekzistojnë në mënyrë shembullore, është kontrabanda dhe krimi i organizuar. Sa më shumë forcohet ndarja e qytetit dhe anomalia, aq më shumë shtohen edhe fitimet e krimit të organizuar. Në vizitat e mia në Kosovë kam takuar jo pak shqiptarë e serbë, që e konstatojnë diçka të tillë, por nuk kanë zë dhe kanë frikë të flasin. Frika e qytetarëve të Kosovës që duan bashkëjetesën paqësore, në të mirë të ardhmes së tyre, është një nga sfidat më serioze për politikanët e Prishtinës...
PS. Kam vënë re në forumet shqiptare në internet, se me sa pasion diskutohet për 'gjashtë pikat' e Ban Ki Mun-it. Por, pak janë ata që i kanë lexuar 'gjashtë pikat'...