E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse pyetet Beogradi e jo Shqipëria?

Plani prej 6 pikash i propozuar nga përfaqësuesi i sekretarit të përgjithshëm Ban Ki Moon, parasheh pezullimin e përkohshëm të kushtetutës së Kosovës në një pjesë të territorit të vet, ndërkohë që EULEX do të punojë nën çadrën e Kombeve të Bashkuara, si ndërmjetës mes serbëve të Kosovës dhe Prishtinës, gjykatat dhe policia do të funksionojnë bazuar në ligjet e UNMIK, doganat në Veri do të punojnë pa simbolin e Kosovës... Kjo është ajo çfarë propozohet.

Kosova është njohur deri më tani nga 53 shtete mbi bazën e planit Ahtisaari. Në vend që të procedohej me shpejtësi drejt rritjes së njohjes ndërkombëtare prej javësh e muajsh ne shohim vetëm rritjen e problemeve.Problemi numër 1 mbetet Beogradi. Beogradi nuk e ka pranuar ende planin "Ahtisaari". Në kohën kur në Kosovë e gjetkë mendohej dhe artikulohej togëfjalëshi "u kry", në Beograd kurrë nuk janë pajtuar me faktin e humbjes së Kosovës. Ka ndryshuar taktika por jo strategjia. Problemi i dytë mbeten "ndërkombëtarët", në fakt mund të konsiderohen edhe si problemi kryesor: thelbi i çështjes mbetet fakti që për të vendosur autoritetin e EULEX apo të UNMIK në një shtet Sovran si Kosova duhet pyetur dhe marrë leje në Beograd. Pse nuk pyetet atëherë Shqipëria apo Mali i Zi si dy vende fqinjë?

Kosova është shtet i pavarur dhe si e tillë duhet trajtuar si nga vetë autoritetet e saj ashtu edhe nga ndërkombëtarët.

Kosova deri më tani ka dëshmuar tolerancë dhe mirëkuptim, ka bërë lëshime maksimale dhe lëshimi më i madh ishte pranimi i planit Ahtisaari. Është krijuar përshtypja se mjaft që miqtë të ushtrojnë pak presion mbi Prishtinën dhe zgjidhet problemi. Tani është radha e Eulex dhe UNMIK të prononcohen edhe njëherë për "planin Ahtisaari". Është koha që BE të ushtrojë presionin aty ku duhet – në Beograd. Nëse Serbia e sheh të ardhmen e saj në BashkiminEuropian, atëherë vetë Brukseli ka shumë në dorë për të detyruar Beogradin që të pranojë realitetin e ri në Kosovë.

Por në të njëjtën kohë Prishtina me veprimet e veta duket se ka një pritshmëri shumë të lartë ndaj ndërkombëtarëve. Që prej shpalljes së pavarësisë, por edhe më parë çdo problem të madh si Veriun ja ka lënë në dorë, ndërkombëtarëve. Zhvillimet e 20 viteve të fundit na kanë mësuar se bota po ndryshon me shpejtësi dhe në mënyrë të paparashikueshme. Një çështje që sot është prioritet nesër kthehet në çështje të dorës së katërt. Nëse vetëm para disa muajve BE i duhej të merrej me Rusinë për Kosovën, vetëm pak muaj më parë u shtua edhe telashi i misionit europian në Gjeogji.

A po ndahet Kosova? Më shume se kjo pyetje ndoshta duhet të na shqetësojë: a do të jetë shtet funksional Kosova? Një ndarje klasike e Kosovës do të vinte në pikëpyetje tërë investimin ushtarak, politik e ekonomik të Perëndimit në Ish Jugosllavi. Shpërbërja e ish Jugosllavisë është bërë duke ruajtur kufijtë e republikave dhe krahinave të ish RFJ-së. Edhe pse në Bosnjë pati genocid e pastrim etnik, fundi i luftës e gjeti sërish si Republikë. Çdo ndarje vë në pikëpyetje jo vetëm Bosnjën, por edhe njësi të tjera të ish-Jugosllavisë.Por në rastin e Kosovës, të shqetësojnë tendecat për të patur një "konflikt të ngrirë" si ai i Qipros apo dy shtete brenda një shteti si rasti i Bosnjës.

Si përfundim, fakti që pyetet Beogradi për vendosur mision në territorin e një vendi sovran është shqetësues. Edhe sikur të bëhej fjalë për t'i dhënë Kosovës 50 miliardë euro, do të ishte lajm i keq nëse do të pyetej Beogradi. Në fakt edhe po të pyetej Shqipëria nuk do të ishte lajm i mirë. Kosova është shtet sovran dhe i pavarur. Nëse shumica e vendeve të BE e kanë njohur si të tillë, duhet të respektojnë veten dhe vendimin që kanë marrë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›