E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tepricat e Isës

Isa Mustafa pati bërë zhurmë të madhe për mosmiratimin e Ligjit për Prishtinën, i cili i siguronte Komunës më shumë para. Por, në vitin 2010, ai s’ka ditur ta shfrytëzojë madje as buxhetin aktual. Kryetari i Prishtinës i ka kthyer në Buxhetin e Kosovës mbi pesë milionë euro suficit, në kohën kur kryeqyteti po kalon ditë të vështira pa ngrohje. Nga Albulena Maloku më 16 janar 2011 në ora 09:21

Insistimet e kryetarit aktual të Prishtinës, Isa Mustafa, për ta miratuar Ligjin për kryeqytetin i patën dridh edhe themelet e koalicionit PDK – LDK. Ai kërkonte miratimin e këtij ligji për shkak të granteve dhe privilegjeve në ngritjen e buxhetit që i siguronte ligji për këtë komunë. Në anën tjetër, kryetari Mustafa në vitin 2010 ka dalë me suficit prej mbi pesë milionë eurosh.

Bash në kohën kur kryeqyteti ka shumë nevojë për projekte dhe investime. Madje, kryetari i kryeqytetit nuk ka investuar as në ngrohjen e qytetit, i cili po ngrinë qytetarët qysh prej fillimit të dimrit.

Përfundimin e vitit më mbi pesë milionë euro suficit të Kuvendit Komunal të Prishtinës e kanë treguar burime të gazetës Express.

“Komuna e Prishtinës ka përfunduar vitin 2010 me një suficit prej mbi 5 milionë euro”, tregon ky burim. Kryetari i Prishtinës pati premtuar shumë projekte dhe shumë ndryshime për shehrin e parë në Kosovë.

Por, në fund të vitit po i teprojnë milionat.

Në anën tjetër, zyrtarët e Komunës së Prishtinës nuk e pranojnë se kanë dalë me suficit.

Ata e interpretojnë si bartje të mjeteve për vitin tjetër.

Zëdhënësi i kësaj komune, Muhamet Gashi, tha se disa projekte kanë filluar vonë dhe pagesat për to do të bëhen gjatë pranverës.

Ai deklaron se nuk kanë dalë suficit, por mjetet financiare janë bartur prej vitit të kaluar në këtë vit.

“Kjo shumë e parave ka mbetur për shkak se disa projekte kanë ngelur pa u përfunduar dhe për shkak se kanë filluar vonë dhe ato duhet të përfundohen në pranverë”, thotë Gashi. Ai gjithashtu nuk ka pranuar të tregojë se sa është shuma e buxhetit të mbetur pa shpenzuar nga kjo komunë.

Buxheti aktual i Komunës së Prishtinës kap vlerën prej mbi 50 milionë eurosh. Gjithashtu edhe buxheti i miratuar për vitin 2011 për këtë komunë kap vlerën mbi 56 milionë euro. Këtij suficiti duket se i kanë kontribuuar edhe aktiviteteve politike të kryetarit të LDK`së.

Kryetari Isa Mustafa pati premtuar se asnjë rrugë nuk do të mbetet e paasfaltuar në kryeqytet dhe çdo lagje e çdo fshat do të ketë 24 orë ujë. Premtoi edhe se do të krijojë hapësira shkollore dhe sportive për të rinjtë, duke shtuar se asnjë i ri më nuk do të jetë në rrugë. Në kryeqendër pati thënë se nuk do të ketë rrugë me baltë, shkolla në të cilat fëmijët do të vijojnë mësimin me katër ndërrime.

Në një të ardhme të afërt pati premtuar zgjidhjen e problemit të ujit. Ka thënë se do t`i ndërtojë edhe Sheshin Ibrahim Rugova dhe Sheshin Adem Jashari. Edhe pushteti qendror thuhet se ka dalë me një suficit të lartë gjatë vitit 2010, por ende nuk është dhënë asnjë e informatë për këtë çështje. Këtij suficiti i kanë ndihmuar edhe pushtetet lokale si ajo e Prishtinës.

Suficitet s`ndalen

Përkundër shumë problemeve dhe mungesës së infrastrukturës dhe gjithçkaje në këtë vend, për çdo vjet komunat dhe ministritë në Kosovë dalin me suficit. Kjo, sipas ekonomistëve, ndodh për shkak të paaftësive të drejtuesve të institucioneve dhe mungesës së projekteve dhe realizimit të tyre. Qeveria prej se është kurdisur pas luftës ka dalë me suficit. Gjithashtu edhe komunat nuk kanë shfrytëzuar krejt buxhetet e tyre vjetore.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›