Ndarje nga gënjeshtra
“Çdo e keqe e ka një të mirë”. Kjo shprehje ngushëlluese, fjalë e urtë, duket se vjen nga kohët më të lashta, ndoshta kur njerëzve u lindi ideja për një organizim të përsosur. Në “Republikën” e tij, shkruante Platoni (428 – 327 p.e.s.), brezi i parë, fëmijët e të rinjtë, do të arsimoheshin për të mësuar që të besonin se në të kaluarën kishin qenë krijesa të dobëta, të pavetëdijshme, por natyra i mori në mbrojtje e u kujdes, duke u dhëne formën fizike e intelektin. Kështu ata do të mbeteshin gjithmonë mirënjohës ndaj së kaluarës. Të edukuar me konceptin e kësaj "gënjeshtre të nevojshme", banorëve të “Republikës” së përsosur as që do t'u shkonte ndër mend të dyshonin, e jo më të rebeloheshin ndaj së kaluarës, apo të kërkonin rishikimin e saj; historia e kaluar bëhej e padiskutueshme, ashtu siç ishin të pandryshueshme ligjet e natyrës, e të shenjta ato të perëndive.
Pasi të krijohej një shoqëri e tillë, Platoni thoshte se, që “Republika” të bëhej e suksesshme, duhej që besimi i krijuar nga "gënjeshtra e nevojshme" të ishte dhe i përhershëm. "Kush lind filozof, në trupin e tij ka ar", argumentonte ai. "Kush lind mbikëqyrës, kujdestar a roje, ka vetëm argjend dhe kush lind punëtor, ka vetëm bronz e hekur". Këto metale bëjnë pjesë në një grup, por janë të ndara, ashtu siç duhet të jenë edhe kastat e një shoqërie. Në këtë mënyrë, Platoni mendonte të krijonte besimin në të "vërtetën e përjetshme" - “aeterna veritas”, e cila duhej të bëhej themeli i edukimit të brezit të parë të shtetit të ri të përsosur. Por, shumë studiues thonë se “Republika” utopike e Platonit, edhe po të ishte bërë realitet, do të kishte dështuar kur “gënjeshtra e nevojshme" të sfidohej nga “e vërteta e nevojshme”.
Sipas tyre, njerëzit që besojnë në “të vërtetën e përjetshme” kanë mite, por jo histori. Ata u ngjanë atyre që mendojnë se jeta është vetëm e lumtur; pa vuajtje a dhimbje. Por, të duash lulet e të përçmosh dheun a plehun ndotës që ushqejnë ato, apo të mbash trëndafilat e të mohosh gjembat, do të thotë t’i shmangesh “të vërtetës së nevojshme, apo t'i ngjash atij që lutet; “Zot më shpëto nga vetja ime!"
Periudha e Rilindjes Evropiane (shek. 14 – 17) krijoi kushte për “të vërtetën e nevojshme”. Koperniku, Bruno, Galileu e shumë të tjerë, pranuan të vuanin a flijoheshin, për të mbrojtur idetë e tyre, të cilat do të tronditnin me themel një sistem mendimi e besimi me rrënjë të thella në"gënjeshtrën e nevojshme". Kur filluan sipërmarrjen e tyre, rilindasit shqiptarë (shek. 19) kishin një qëllim krejt ndryshe nga ai i Platonit dhe programi i tyre ishte me pak ambicioz sesa ai i Rilindjes Evropiane. Objektivi i atdhetarëve ishte i thjeshtë; rizgjim i vetëdijes kombëtare e përfundimisht krijimi i një shteti shqiptar. Ata jo se nuk ëndërronin një shtet të përsosur, pasi njëri prej tyre, Sami Frashëri, shkroi “Shqipëria ç’ka qenë…”, por realiteti i kohës si një e “vërtetë e nevojshme”, i bëri ata të pajtoheshin me krijimin e një shteti të çfarëdoshëm.
Mitizimin apo "gënjeshtrën e nevojshme", rilindasit e përdorën ashtu si mjeku kloroformin, vetëm për të sjellë në vete pacientin. Por, kur shteti shqiptar u krijua më 1912-n, hija e miteve mbeti, ashtu si sot parullat euforike të së kaluarës shihen të zbehta e vende-vende nëpër mure a faqe mali. Këto mbetje të "gënjeshtrës së nevojshme" nga periudha e Rilindjes, u gjallëruan e u përshtatën shpejt nga ideologët e komunizmit më 1944-n, kur lavdia personale dhe pushteti, me çdo kusht, u bënë qëllimi i tyre. Dhe ashtu siç këshillonte Platoni, punafilloi me edukimin e brezit të ri, duke i thënë se “Kur lindi partia, lindi drita jonë”. Gjithashtu, historia dhe historiografia shqiptare, e shkruar gjatë viteve të diktaturës, ra pre e “gënjeshtrës së nevojshme". Si pasojë, shumë shtrembërime fituan statusin e mitit të paprekshmërisë dhe ende vazhdojnë të bëhen burim grindjesh e përçarjesh, sa herë që përballen me "të vërtetën e nevojshme"
Nietzsche (1844 - 1900) thoshte se ndjenjat, me të cilat njeriu lind, i garantojnë atij se është qenie që mendon, por jo që jeton. Për të jetuar ai duhet të lihet i lirë. Por, edhe njerëzit e lirë kanë probleme; parimisht ata vuajnë nga e keqja historike apo kujtesa se dikur kanë qenë në pranga. Duket se fshirjen e kësaj kujtese e merr përsipër “gënjeshtra e nevojshme". Plutarku (46 p.e.s. – 120 e.r.) sikur e kuptoi fuqinë e ideve dhe të keqen që vjen nga shpërdorimi i tyre. Nisur nga kjo, ai filloi të shkruajë “Jetë paralele”, gjithsej 19, për t'i zhveshur figurat e antikitetit nga çdo mit apo teprim. Ndoshta, falë përshkrimeve të tij biografike, emrat e shumë personaliteteve, përfshi Aleksandrin e Madh dhe Pirron e Epirit, sot shihen si figura historike, ndërsa periudha që Plutarku trajtoi në shkrimet e tij, mendohet të jetë ndër më të dokumentuarat e antikitetit. Plutarku thoshte se miti e bën historinë të duket si sipërfaqja e turbullt ku njeriu e sheh veten të shpërfytyruar, ndërsa e zhveshur nga mitet, historia behet pasqyrë e qartë, ku, duke u parë, njeriu mund përmirësojë jetën dhe karakterin e vet.
Thuhet se Plutarku ishte një nga kujdestarët a priftërinjtë e fundit të Orakullit të Delfit dhe si i tillë, dëshmitar i përditshëm i shprehjes “Njih veten – Shmang ekstremet”, një këshillë e gdhendur në hyrje të tempullit, por e vështirë për t’u ndjekur, sepse Orakulli nuk tregonte, ai vetëm linte të kuptohej.