Shorti, kush do të gjykojë Lulzim Bashën
Caktohen pesë gjyqtarët që do të shqyrtojnë akuzën ndaj ministrit pa imunitet. Relator zgjidhet Spiro Spiro
Vetëm një prej gjyqtarëve është emëruar nga presidenti Topi, të tjerët nga Meidani e Moisiu
TIRANË- Shorti me gogla caktoi pesë anëtarët e trupit gjykues që do të gjykojnë Ministrin e Jashtëm pa imunitet, Lulëzim Basha, dhe ish-vartësin e tij, Andi Toma, për akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe shkeljes së barazisë në tenderë. Mesditën e djeshme, 16 anëtarët e Gjykatës së Lartë, pas një mbledhjeje të shkurtër mes tyre, vendosën që përzgjedhja e anëtarëve që do të gjykojnë dosjen penale me të pandehur deputetin Basha dhe ish-vartësin e tij Toma të bëhet me anë të shortit me gogla dhe jo atij elektronik siç është bërë gjithmonë. Kështu, pas përzierjes së 16 goglave që mbanin brenda emrat e gjyqtarëve të kësaj gjykate në një vazo qelqi, gogla e parë zgjodhi relatorin e kësaj dosjeje që u caktua gjyqtari Spiro Spiro dhe që pasoi më pas me përzgjedhjen e katër anëtarëve të tjerë që do të jenë: gjyqtarët Besnik Imeraj, Perikli Zaharia, Aleksandër Muskaj dhe Irma Bala. Ky është hapi i parë i fillimit të gjyqit ndaj ministrit Basha por edhe hapi që i jep fund të gjitha padive të ngritura në shkallë të ndryshme të gjyqësorit.
***
Pesë gjyqtarët e zgjedhur dje do të shqyrtojnë dhe gjykojnë mbi fajësinë apo pafajësinë e deputetit pa imunitet Lulzim Basha dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Rrugëve pranë Ministrisë së Transporteve, Andi Toma, duke u bazuar në provat e mbledhura nga organi i akuzës dhe atyre që avokatët mbrojtës do të paraqesin para kësaj gjykate. Sipas procedurës së ndjekur deri më tani, duke u bazuar në ligjin për Funksionimin e Gjykatës së Lartë, gjyqtari relator brenda datës 15 dhjetor do të caktojë datën për zhvillimin e seancës së parë gjyqësore ndaj të pandehurve Basha dhe Toma. Burimet zyrtare pranë këtij institucioni u shprehën, se “brenda 10 ditëve nga dita e regjistrimit të çështjes në Gjykatën e Lartë nga Prokuroria e Përgjithshme që është data 5 dhjetor, relatori i dosjes, Spiro Spiro, vendos caktimin e datës për zhvillimin e seancës së parë gjyqësore ndaj të pandehurve të kësaj dosjeje Lulzim Basha dhe Andi Toma”. Mendohet se paraditen e së hënës, gjyqtari Spiro të caktojë datën për zhvillimin e seancës së parë gjyqësore, ku do të njoftohen dhe thirren palët në proces në këtë datë që pritet ta caktojë gjyqtari Spiro në konsultim me pesë anëtarët e tjerë të këtij trupi gjykues.
***
Sipas CV-ive të pesë gjyqtarëve që do të gjykojnë këtë dosje, mësohet se tre prej pesë anëtarëve të kësaj gjykate, Spiro Spiro, Perikli Zaharia dhe Irma Bala janë emëruar me dekret të ish-Presidentit Rexhep Meidani,ndërsa, gjyqtari Besnik Imeraj është emëruar si anëtar i kësaj gjykate me dekret të ish-Presidentit Alfred Moisiu dhe gjyqtari Aleksandët Muskaj është dekretuar me firmën e Presidentit Bamir Topi. Gjithashtu, mësohet se tre nga gjyqtarët e kësaj dosjeje, Spiro, Imeraj dhe Bala para viteve 1990 kanë punuar si hetues dhe krye hetues të qyteteve si Shkodër, Elbasan dhe Tiranë, ndërsa pas viteve ’90 si gjyqtarë, avokatë e juristë të ndryshëm pranë institucioneve shtetërore apo private. Ndërsa gjyqtarët Zaharia dhe Muskaj kanë ushtruar vetëm funksionet e gjyqtarit, avokatit dhe juristëve pranë institucioneve të ndryshme që nga dita e diplomimit të tyre në drejtësi, duke përjashtuar këtu gjyqtarin Muskaj që ka qenë për disa vite anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Dosja e prokurorisë për Durrës- Kukës dhe zbulimi i abuzimit që kap shifrën e 300 milionë eurove
Shkeljet e kryera nga ministri Basha
TIRANË- I pandehuri Lulzim Basha bashkë me ish-vartësin e tij Andi Toma akuzohen nga Prokuroria e Përgjithshme se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe shkeljes së barazisë në tender apo ankand publike, duke i shkaktuar shtetit një dëm prej rreth 300 milionë euro. Sipas akuzës, dy të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin në kohën kur Lulzim Basha drejtonte dikasterin e Ministrisë së Transporteve dhe Andi Toma ishte në detyrën e Drejtorit Juridik pranë kësaj ministrie, kanë abuzuar me detyrat, duke favorizuar me të gjitha mundësitë e mundshme kompaninë që u shpall fituese për ndërtimin e rrugës Rrëshen – Kalimash, “Bechtel Inc.-Enka”. Shoqëri të cilën e kanë caktuar duke mos hapur tender publik, por të drejtpërdrejtë me këshillimin e konsulentëve “Ecorys Group”, përzgjedhje kjo që është bërë në shkelje të ligjeve dhe akteve nënligjore në fuqi. Pasi përzgjedhja e saj është bërë me urdhër të vetë deputetit pa imunitet Lulzim Basha duke i caktuar shumën për konsultimin dhe përzgjedhjen e kompanisë më të mirë për ndërtimin e rrugës “Rrëshen-Kalimash” 180 mijë dollarë. Kjo kompani është favorizuar pasi nuk është hapur konkurrim apo tender duke përcaktuar me dëshirën e vetë të pandehurit Basha. Sipas akuzës, procedura e ndjekur për përzgjedhjen e firmës fituese për ndërtimin e rrugës Rrëshen-Kalimash dhe lidhja e kontratës me këtë firmë për zbatimin e punimeve është kryer me shkelje të shumta ligjore, duke favorizuar subjektin sipërmarrës. Shkeljet e konstatuara kanë sjellëdëme te konsiderueshme financiare për buxhetin e shtetit që sipas akt-ekspertimeve kontabël kap shifrën e rreth 300 milionë euro.