E Diel, 1 Nëntor 2026

“Nder i Kombit” pas vdekjes për shkrimtarin Vath Koreshi



Petrika GROSI
“Personalitetit i shquar i kulturës kombëtare, me kontribut shumë të rëndësishëm në letërsinë bashkëkohore dhe në kinematografinë shqiptare, në zhvillimin dhe pasurimin e tyre me vepra elitare.”
Një motivim që nuk do të çudiste aspak jo vetëm miqtë e tij, por edhe ata që nuk e njihnin kaq mirë... Një titull nderi që i mungoi përsëgjalli, sëpaku zyrtarisht, është dhënë ditën e djeshme në ambjentet e presidencës për politikanin, shkrimtarin, skenaristin, redaktorin dhe publicistin e njohur që nuk jeton më, të ndjerin Vath Koreshi. Gjatë një ceremonie solemne, Presidenti i Republikës, Bamir Topi i ka dorëzuar familjes Koreshi urdhërin e lartë “Nder i Kombit”, që i akordohet shkrimtarit pas vdekjes. Fillimisht në ceremoninë e rastit është mbajtur himni kombëtar dhe nga Sekretari i Përgjithshëm i Presidencës, Aleksandër Flloko, u lexua dekreti përkatës, ndërkohë që më pas, presidenti Topi i dha vajzës së Vath Koreshit, (Ermela Hunçi) titullin e lartë të nderit. Në ceremoninë e zhvilluar ishin gjithashtu pjesëmarrës artistë, shkrimtarë e regjisorë, miq e shokë të Vath Koreshit, mes të cilëve edhe zëvendësministrja e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Suzana Turku. Pasi mori urdhërin “Nderi i Kombit” (për të atin pas vdekjes) e bija e Vath Koreshit, Erneka Hunçi është shprehur: “Nën peshën e një emocioni të papërshkruar, dua t’ju falenderoj të gjithë ju për vlerësimin e lartë që i bëtë babait tonë! Ne e kemi të vështirë të flasim sot, të dashur miq, për një njeri i cili punoi gjithë jetën për të bërë gjithçka të mirë për vendin e tij, pa menduar kurrë se ç’do të bënte vendi i tij për të. Dhe ne kemi shumë të vështirë të flasim sot, pasi të dashur miq, në sajë tuaj ne shohim se sot Vath Koreshi nuk është vetëm i familjes sonë. Me këtë rast, falënderojmë në emër të familjes presidentin e Republikës, Bamir Topi, për vlerësimin e lartë, ministrin e Kulturës Rinisë dhe Sporteve Ylli Pango, propozuesit e këtij vlerësimi, si dhe miq e të ftuar të kësaj ceremonie.” Shkrimtari dhe skenaristi i njohur lindi në Lushnjë në vitin 1936 dhe vdiq pasi vuante nga një sëmundje e rëndë në vitin 2006. Humbja e tij nuk trishtoi vetëm familjen e të dashurit, por me të drejtë u ndje nga çdo shqiptar që humbi mjeshtrin e madh të skenareve, redaktorin e përkushtuar, shkrimtarin e talentuar e vizionar si dhe politikanin serioz e të ndershëm. Natyrisht që për vlerat e të ndjerit Vath Koreshi është folur dhe do të flitet shumë, ndaj nuk ia vlen të zgjatemi në këtë aspekt. Por le të kujtojmë me këtë rast disa nga titujt e librave dhe skenareve të tij, të cilat do të mbeten edhe në të ardhmen si pika referuese e frymëzim për artistët e rinj për vet vlerat dhe mjeshtërinë që flet gjuha e artit të të madhit Vath Koreshi. Mes këtyre veprave mund të përmendim pa hezituar “Balada e Kurbinit”, “Gjeneral Gramafoni”, “Dasma e Sakos”, “Rekuiem për një grua”, “Ulku dhe Uilli”, “Rrugë të bardha”, “Një grua në të verdha”, për të mbërritur deri te romani i tij i fundit i titulluar “Çafka”, që u vlerësua me çmimin e veprës më të mirë të Panairit të Librit të atij viti të zhvilluar në Tiranë.

30 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›