Nderet që bëjmë
Janë hera-herës të çuditshme veprimet dhe sjelljet tona të përditshme. Përqendrimi ynë i tanishëm ka të bëjë me “nderet që u bëjmë të tjerëve”, si një temë që shpesh bëhet e rëndësishme, pasi “nderi”, “e mira” që bëjmë, duhet të “regjistrohet” diku, të mbahet shënim, ose të arkivohet, siç ndodh me gjithçka që e bëjmë për dikë: një kronikë televizive, një dorëshkrim të rrallë. Sepse “nderi”, “e mira” konceptohen si një gjë që do mbajtur mend e mbase do përmendur herë pas here. Mirëpo në këtë drejtim na vjen në ndihmë filozofia e popullit tonë që “nderin, të mirën, bëje dhe bëje me shumicë, por as mos e përmend, as mos e kujto, as mos e thuaj kurrë në publik, sepse ajo është brendësia jote, thelbi yt, domethënë merre dhe sikur e ke hedhur në det, në lumë, pa e marrë vesh kurrkush, pa t’u ditur kjo “e mirë”, ky “nder”...
Mirëpo ç’ndodh? Njerëzit, për shkak të egoizmit, të mundur nga interesi, nga ambiciet e fuqishme ngadhënjyese brenda vetes, sidomos ata me pikësynime të qarta karriere, me tendenca “heroike” përbrenda etj., e nxjerrin sekretin (të fshehtën përvëluese) dhe fillojnë këtu – aty ta përmendin, në fillim nën zë, pastaj me ndonjë artikull gazete e kronikë televizive. Më vjen ndërmend një kronikë e tillë televizive: një kompani u kishte dhuruar disa veshje një jetimoreje. Për mua dhe psikologjinë e ndershme sociale, kjo kompani i bëri nder vetes që dhuroi veshjet dhe jo jetimëve. Deri në çastin që jetimët nuk e dinin nga u erdhën rrobat e trupit ishin të qetë, por me ta marrë vesh i zuri harareti, po u hante trupi dhe rrobat u bënë të flamosura!
Nderi që bëjmë mund të delegohet me ndërmjetës, lajmës. Domethënë mund të menaxhohet edhe kësisoj. Nuk do të ishte i rëndë po qe se në kundërpërgjigje s’do të kërkohej një favor. Ky favor mund të jetë një post zyrtar, mund të jetë një rrogë më e mirë, udhëtime jashtë shtetit, honorare të lakmuara, blerje e shitje larg e larg, të cilat as më shumë e as më pak vijnë erë korrupsion. Pra nderi qenka i mallkuar dhe aspak i dëshiruar. Po u shit, po u shpall, shih ku të çon! Mirëpo edhe kur nuk shpallet, por mbillet si nën zë (e more vesh ç’bëri filani e filanka, e pe si u tha për iksin dhe ipsilonin në kronikë, i pe fëmijët e kujt zgjodhën për të çuar te Presidenti...?) atëherë merret vesh se të kanë vënë pas vetes një minë me sahat që s’dihet kur do të pëlcasë.
Mirëpo, ndonëse dihet që të gjitha rrugët të çojnë në Romë (domethënë se të gjitha nderet të çojnë te ryshfeti, kundërveprimi i nderit!), njerëzit shpikin lloj-lloj teknikash, madje edhe eksperimentuese (si për të na i mbushur qyp mendjen!), për ta pëlqyer nderin që u bëhet, pastaj të tjerat vijnë vetë. Kështu, sipas këtij “kodiku”, ne patjetër duhet ta dimë cili na i bën nderin, së dyti – njerëzit (ne apo të tjerët, nuk ka rëndësi) duhet të pajtohen me propozimin fillestar edhe kur ndodh që propozuesi e rrit pjacën. Në fund të fundit shkohet me “parimin” se “po ta bëj ty nderin”, domethënë po e ul për ty çmimin, e kam siguruar enkas për ty mallin, kjo bëhet posaçërisht për ty dhe vetëm për ty, ose vetëm me ty mund të shkoj në shtrat, vetëm me ty mund ta bëj këtë udhëtim, ose vetëm ty mund të jepet ky çmim, kjo dekoratë, ky shpërblim i majmë... etj. Shembuj të pafund. Kjo ndodh kështu, sepse njerëzit që marrin vetëm propozimin përfundimtar, kanë më pak prirje për t’u pajtuar me të.
Duhet vënë re se pëlqimi fillestar në këto raste kur duam të bëjmë ndere – nënshkrimi i një peticioni, veshja e një etikete, pohimi i qëllimeve – arrihet pa pagesë, bëhet në radhën e veprimeve krejt të zakonshme, ose si një domosdoshmëri intelektuale. Do të shohim përsëri se kur njerëzit angazhohen në një sjellje publike dhe perceptojnë se këto akte po i bëjnë vetë, ata besojnë edhe më fuqishëm në atë që bëjnë. Përfytyroni ç’ndodh kur ky është një nder.
Pikërisht me këtë dukuri kaq interesante është marrë Robert çialdini dhe bashkëpunëtorët e tij (1998), të cilët paraqitën një variacion të fenomenit nder dhe shpërblim të tij, duke eksperimentuar forma interesante, madje edhe një taktikë e përdorur nga shitësit e automjeteve, të cilëve (vetëm për ta) jepeshin çmime gjoja me zbritje. Dhe blerësit binin viktimë e besimit të verbër. Kjo na çon te mendimi politik që u thuhet shpesh militantëve partiakë se vetë ata janë më të besuarit, se vetëm për ta bëhet kjo dhe ajo punë!...
“Ne nuk i duam shumë njerëzit për të mirat që na kanë bërë, por për të mirat që u kemi bërë”, Lev Tolstoi, “Lufta dhe Paqja” (1869). Kjo është një pamje tjetër e nderit që bëjmë dhe e shpërblimit që marrim. Sjellja pozitive ndaj dikujt edukon pëlqimin e tij. Kur dikujt i bëjmë një nder dhe ai, i cili qe nderbërësi, atëherë rritet shkalla e pëlqyeshmërisë së tij, edhe pse realisht nuk duhet të ndodhë kështu. “Gjithsecili bën atë që është; gjithsecili bëhet sipas asaj që bën”, Robert Musil, Kleine Prosa (1930). Në thelb kjo do të thotë se nuk e ndryshojmë dot personalitetin e njeriut me një nder që bëjmë, as edhe me një nder që marrim. Megjithatë e mira fare është që nderin që u bëjmë të tjerëve ta hedhim diku në det dhe të mos e dijë askush, sepse këtë e bën karakteri ynë, personaliteti ynë dhe kjo nuk mund të këmbehet me asgjë në botë.
“Ju do të gjeni njerëz që bëjnë ndere nëse filloni me ata që u kanë bërë atyre nder”
Publilius Sairus, 42 para Krishtit