E Diel, 1 Nëntor 2026

Ulen çmimet për ushqimet, shtrenjtohen mallrat e luksit

Jetesa INSTAT: Rritje e lehtë e inflacionit, 3.2% në qershor

Produktet bujqësore të sezonit kanë mundësuar uljen e çmimeve në vend, përfshi edhe ato blegtorale, kurse mallrat e luksit kanë pësuar shtrenjtim si pasojë e akcizës. Sipas INSTAT-it, çmimet në muajin qershor shënuan një ulje prej 0.5 për qind krahasuar me muajin e mëparshëm, kurse në krahasim me vitin e kaluar, ka një rritje me 3.2 për qind. Një vit më parë, referuar qershorit, ky ndryshim ishte 2.3 për qind. Indeksi i grupit “ushqime dhe pije jo alkoolike” shënoi një ulje prej 1.9 për qind, brenda këtij grupi ulja më e madhe prej 14.4 për qind vërehet në nëngrupin “zarzavate përfshi patatet”. Këtu mund të përmendim uljen e çmimit të specave me 36.4 për qind, patëllxhanëve me 31.5 për qind. Ndërsa çmimet e nëngrupit “fruta” shënuan një rritje prej 1.3 për qind, ku mund të përmendim rritjen e çmimit të limonëve me 35.7 për qind, kivit me 5.7 për qind, portokajve me 3.2 për qind.

Indeksi i grupit “pije alkoolike dhe duhan” shënoi një rritje prej 0.5 për qind, brenda të cilit çmimet e pijeve alkoolike shënuan një rritje prej 0.7 për qind dhe çmimi i duhanit shënoi një rritje prej 0.3 për qind. Indeksi i grupit “veshje dhe këpucë” shënoi një ulje prej 0.1 për qind, ku mund të veçohet ulja e çmimeve të nëngrupit këpucë me 0.5 për qind. Kostoja për shërbimet e transportit kanë pësuar ulje me 0.1 për qind, pavarësisht çmimeve të rritura të karburanteve me 0.2 për qind dhe çmimi i benzinës 0.3 për qind. Indeksi i grupit “shëndeti” shënoi një rritje prej 6.6 për qind, ku mund të veçojmë rritjen e çmimeve të tarifave të shërbimeve mjekësore 46.6 për qind.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›