Historia e minatorit që u akuzua për vjedhje kromi
39-vjeçari Zihni Murati, që para tri ditëve u bllokua për 12 orë brenda në një galeri të braktisur teksa po mblidhte gurë kromi, edhe pse pa vdekjen e sigurt me sy, tregon për “Shqip” se do t’u rikthehet përsëri vrimave të tilla vdekjeprurëse, pasi është e vetmja mundësi e tij për të ushqyer me bukë fëmijët. “Erdha në Bulqizë nga Luznia e Dibrës, për të punuar në minierë me shpresën për të ndërtuar një jetë më të mirë për familjen time. Por para një viti më pushuan nga puna në minierë dhe e vetmja mundësi për të mbijetuar ishte mbledhja e gurëve të kromit, ku i shisja te privatët për pak para. Si për çdo ditë edhe para katër ditëve, së bashku me tre të rinj, shkova në Zonën e Parë të minierës dhe hyra në galerinë 6/2 i pashoqëruar nga djemtë, pasi ata kishin frikë të hynin brenda në galeri. Pasi përshkova 300 metra rrugë horizontale u ngjita në një furnel të katit të tretë të galerisë rreth 100 metra në thellësi nga sipërfaqja e tokës. Nga eksperienca e punës në minierë, sapo u dhanë shenjat e para të rënies së gurëve e kuptova se galeria po shembej dhe hyra poshtë një guri duke u mbledhur kruspull që të mos më kapte shembja, ku kam qëndruar për gati 12 orë. Kam përjetuar një tmerr të vërtetë, ku ndieja dhe shihja një vdekje të sigurt. Fatmirësisht furneli si pasojë e shembjes, krijoi një çarje deri në sipërfaqe të tokës, e cila mundësoi depërtimin e ajrit, pasi hyrja e galerisë u bllokua tërësisht. Për ndriçim ndeza llambën e minatorit që e kisha marrë me vete. Gjithsesi, tregon për “Shqip” 39-vjeçari Murati, në këto momente nuk kisha asnjë shpresë se mund të dilja i gjallë nga galeria, ku edhe pse nuk kisha probleme me frymëmarrjen fillova të ndieja të ftohtin e galerisë. Vetëm pas katër orësh, pra aty rreth orës 13.00 m’u ngjallën shpresat për jetën kur dëgjova thirrjet e shokëve që kisha lënë jashtë galerisë”. Dhe ka qenë ndërhyrja e Servete Muratit, bashkëshortes së tij, që ka mundësuar vendosjen e këtij komunikimi. Ajo rreth mesditës ka shkuar për t’i dërguar bukë bashkëshortit të saj dhe për ta ndihmuar në mbledhjen e mineralit. “Djemtë më thanë se Zihniu ka hyrë brenda në galeri. Nuk prita gjatë, por u thashë atyre që të hynin në galeri për të lajmëruar Zihniun për të ngrënë bukë. Sapo dalin nga galeria ata më thanë se Zihniu ka vdekur, pasi galeria ishte shembur. Menjëherë, vazhdon të tregojë bashkëshortja, vrapova për ndihmë te minatorët që punonin në galerinë fqinje 16. Ndërkohë që punohej për zhbllokimin e galerisë, unë pa shumë shpresë se bashkëshorti mund të dalë i gjallë nga galeria, erdha në shtëpi për t’u përgatitur për më të keqen që mund të ndodhte, ku lajmërova prindërit e Zihniut në Luzni të Dibrës”. “Sapo më lajmëroi nusja se Zihniun e ka zënë galeria dhe nuk e di a është gjallë apo vdekur, jam ngritur nga krevati ku isha e sëmurë dhe kam ardhur në Bulqizë brenda natës, tregon Rukie Murati, nëna e Zihniut. Kur erdha nuk i gjeta në shtëpi Zihniun dhe nusen pasi i kishin marrë në polici”. Ndërsa Zihniu tregon se “në polici më kërcënuan me burg, pasi më thanë se ti ke vjedhur krom. Të paktën më burgosni me gjithë fëmijët, pasi ata do vdesin për bukë. Ndryshe jam i detyruar t’u rikthehem prapë vrimave vdekjeprurëse, pasi nuk kam asnjë mundësi tjetër jetese”, e përfundon tregimin e tij 39-vjeçari Zihni Murati.
#