E Diel, 1 Nëntor 2026

Dyfishohen zonat me ujë të ndotur në kryeqytet, sheshi Avni Rustemi 6 pika me probleme

Specialistët: Ndotja e tubacioneve për shkak të amortizimit të rrjetit, kujdes me ujin e depozitave gjatë ditëve të nxehta

Gjatë këtyre muajve të nxehtë, ku vapa dhe temperaturat e larta shkaktojnë jo pak probleme, për qytetarët e Tiranës shqetësimi kryesor është uji i pijshëm, mungesa e tij në të shumtën e kohës, por edhe ndotja e cila për një vit sipas specialistëve të

higjienës është shtuar dyfish. Çarja e tubacioneve pa kriter nga vetë qytetarët, rikonstruksioni i rrugëve në të cilat në shumicën e rasteve ndodhen tubacionet të cilat gjatë punës zhvendosen ose çahen nga pakujdesia, por edhe zonat e vjetra që funksionojnë me rrjet shpërndarës të vjetër kanë më shumë risk për të pasur më shumë mundësi të ndotjes së ujit të pijshëm. Zonat në të gjithë kryeqytetin ku uji është me ndotje e me probleme janë shtuar dyfish edhe pse shpesh herë kryhen kontrolle e merren mostra në tubacione nga specialistët. Këto zona në gjithë kryeqytetin janë gjithsej në 12 të tilla ku në disa prej tyre janë vërejtur disa pika të përsëritura me ndotje  nga specialistët është bërë publike mos përdorimi i këtij uji për konsum të përditshëm. Konkretisht bëhet fjalë për zonën e Rrugës së Durrësit, ku ndotja është përsëritur tri herë gjatë muajit prill, për rrugën Thanas Ziko, në Rrugën Bardhyl, në sheshin Avni Rustemi dhe në Tiranën e Re. Situata paraqitet më problematike në zonën pranë sheshit Avni Rustemi, ku ndotja është përsëritur 6 herë gjatë muajit prill. Zonat e tjera ku janë vërejtur ndotje në tubacion janë dhe Selita, Kodra e Diellit, lagjja Ali Demi Bulevardi Zogu i Parë, e në disa pika në Rrugën e Elbasanit.


Analizat
Nga 913 analiza që specialistët e higjienës kanë kryer çdo muaj, pas marrjes së mostrave të ujit në 31 pika fundore në rrjetin e Ujësjellësit në Tiranë, 41 analiza treguan se ka ndotje bakteriale në pesë zona. Sipas specialistëve ajo që vlen të theksohet është fakti se uji që del nga depot është i pastër, por ndotja vihet re në rrjetin shpërndarës, si pasojë e ndërhyrjeve të shumta të qytetarëve. Uji i pijshëm në kryeqytet vazhdon të jetë i ndotur dhe për pasojë qytetarët ende nuk mund të pinë lirshëm ujin e çezmave. Nga analiza vjetore e kryer nga Drejtoria e Higjienës pak kohë më parë ka rezultuar se numri i pikave të ujit të pijshëm me ndotje ka ardhur në rritje në vitin 2009 në krahasim me vitin 2008. Sipas të dhënave ka pasur një rritje nga 6.3 % e pikave të ndotura që rezultonin për 2008, në 2009 ka arritur në 12% të tyre duke arritur kështu në një dyfishim të rasteve. Po kështu edhe përgjatë këtij viti zonat me ujë të ndotur janë shtuar pothuajse dyfish sipas specialistëve të higjienës. Specialistët që merren çdo ditë me ekzaminimin e mostrave të ujit të pijshëm rendisin disa shkaqe të ndotjes, ndër to është dhe pakujdesia e qytetarëve. Në të shumtën e rasteve ndotja vjen edhe për shkak të pakujdesisë të qytetarëve, të cilët duhet të pastrojnë vazhdimisht depozitat, sepse edhe nga temperaturat e nxehta ka më shumë mundësi të rritet ndotja e ujit të pijshëm


Shkaqet
Sipas specialistëve duhet të theksohet që këto janë zona të trashëguara, dhe jo se ndotja ka ndodhur në vitet e fundit. Sipas tyre problemet me ujin e pijshëm kanë ardhur edhe nga depozitat. Specialistët këshillojnë se jo vetëm në sezonin e shirave por edhe nga papastërtitë që krijohen prej vapës, risku i ndotjes është më lartë. Sipas tyre duhet të boshatiset depozitat për ta pastruar, sepse uji është i ndenjur dhe në fund grumbullohet një shtresë, e cila bëhet shkak i ndotjes. Shkak tjetër kanë qenë punimet nëpër rrugët dhe kryqëzimet e shumta që ekzistojnë midis tubacioneve. Specialistët shpjegojnë se rastet sporadike kanë ndodhur kryesisht në zonat ku janë bërë punimet ku mund të jenë shtuar rrugë nga ku mund të jenë dëmtuar kanalizimet e ujërave të bardha me të zeza duke shkaktuar ndotjen e ujit.


Arta AGOLLI

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›