Nderhyrja ne Veri. Pacolli Nje mision i perkryer

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Behgjet Pacolli thotë se institucionet e Kosovës tani kanë kontrollin e plotë në tërë territorin e vendit, përfshirë këtu edhe pikat kufitare me Serbinë në veri, ku për herë të parë pas 12 vitesh është arritur që të kryhet kontrolli i mallrave dhe i njerëzve që qarkullojnë në këtë pjesë. Në një intervistë për Albanian Screen, Pacolli konfirmon vendosmërinë e qeverisë për të mos u zmbrapsur nga vendimi për të vendosur autoritetin e saj në çdo cep të Kosovës.
“Ndoshta është ky vendim i vonuar, por sidoqoftë nëse përkryhet nuk
është vonë. Ky mision është i përkryer. Kjo pjesë e territorit të
Kosovës tani është nën kontrollin e Kosovës. KFOR-i është prezent atje.
Për gjithë ato vite ka qenë një vend ku kanë lëvizur njerëz të
padëshiruar, kanë lëvizur bandat e ndryshme, kemi pasur lëvizje të
mallrat e kontrabanduar dhe asgjë nuk kemi pasur nën kontroll. Tani e
kemi kontrollin. Kontrollojmë kufijtë e shtetit tonë, kontrollojmë
qarkullimin e njerëzve dhe të mallrave. Kjo na bënë që të punojmë edhe
më tepër që ta zgjidhim edhe problemin politik të veriut, që në muajt e
ardhshëm ta kthejmë edhe këtë pjesë nën kontroll” pohon
Pacolli, Zv/Kryeministri i parë i Kosovës
Pacolli e cilëson të paligjshem qëndrimin e zyrtarëve të Qeverisë së
Serbisë në Kosovë dhe paralajmëron ballafaqimin e tyre me ligjin. Ai
thotë se Beogradi duhet t’i kthehet tryezës së bisedimeve në mënyrë të
civilizuar dhe të mos ëndërrojë se do të ketë kthim prapa. Numri dy i
Qeverisë së Kosovës thotë se tani masat e reciprocitetit me Serbinë dhe
Bosnjë-Hercegovinën të vendosura nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë
po zbatohen 100 për qind në tërë territorin e Kosovës. Për këtë ai
thotë se ndihet krenar, pasi Kushtetuta është e shenjtë dhe duhet të
zbatohet në përpikëri.
Sala Mustafa
Azhornuar së fundi ( e diel , 31 korrik 2011 )